Grekët festojnë në Bularat, dhjetëra qytetarë kremtojnë ditën e JO-së, festa kombëtare e Greqisë
Dhjetëra qytetarë u mblodhën në Këlcyrë dhe Bularat për të nderuar ushtarët grekë të rënë në luftën italo-greke, ndërsa ceremonia për ekstremistin Kostandin Kaccifas u mbajt edhe këtë vit larg syrit të medias.
Dhjetëra persona u mblodhën këtë të premte për festën Kombëtare të Greqisë në vendin tonë. Në Këlcyrë dhe Bularat janë mbajtur ceremoni përkujtimore në nderim të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 82 vite më parë.
Në të dy varrezat prehen tani gati 1300 ushtarë të identifikuar, ndërsa pjesëmarrës në ceremoninë përkujtimore ishin familjarë të të rënëve por edhe qytetarë të thjeshtë grekë që udhëtuan sot drejt Bularatit për të nderuar kujtimin e të rënëve në ditën që njihet si dita e “JO-së” .
“Erdha për të nderuar të rënët e luftës. Burri im është duke lexuar listën që gjendet këtu në kishë për të parë nëse gjen dot xhaxhain e tij. Ka rënë këtu në Shqipëri, por ne vijmë për herë të parë dhe nuk e dimë ku prehet.
“Më vjen mirë që Shqipëria po e nderon këtë luftë dhe këta të rinj që humbën jetën në lulen e moshës. Grekë e shqiptarë kemi qenë një kur bëhej fjalë për një të keqe të përbashkët”.
Në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në kishën e shën Athansit në Bularat morrën pjesë edhe familjarë të ekstremistit grek Kostandino Kacifas, por çështja Kacifas edhe këtë vit u mbajt larg ceremonisë zyrtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Diasporës dhe Diplomacisë Publike në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, Janis Krisullaqis, tha në emër të qeverisë greke se rezistenca që Greqia i bëri Italisë fashiste 82 vite më parë shënoi një epokë shprese për kohën.

