Paratë nga bastet online, Tola: Parashikimi i qeverisë për arkëtimin e 2 mld lekëve tejet minimalist
Të ardhurat që qeveria ka parashikuar të vijnë në arkën e shteti pas rihapjes së basteve online, për ekspertët janë larg normës së pretenduar. Eksperti i ekonomisë, Igli Tola, shprehet se qeveria duhet të kishte parashikuar një draft për menaxhimin dhe duhet të ketë një ent rregullues përmes institucioneve përkatëse.
Rihapja e basteve online nga 1 janari i 2023, për qeverinë pretendohet se do të arkëtoje në buxhetin e shtetit rreth 2 mld lekë në një vit.
Kjo shumë është minimaliste sipas ekspertëve të ekonomisë. Igli Tola i referohet vitit 2018, kur nga bastet u arkëtuan 44 milion euro.
"Pretendimi i këtyre 2 miliard lekëve shtesë në buxhetin e shtetit duket një parashikim tejet minimalist sepse po të shohim vlerat historike, në 2017 që është viti me performancën më të mirë të kësaj industrie, u arkëtuan 44-45 milion euro vetëm në arkën e shtetit. Ndërkohë në 2018 një vlerë disi më e ulët, diku te 38 milion euro."
Tola thekson se qeveria duhet të kishte hartuar më parë një draft paraprak.
Gjithashtu dhe institucionet përkatëse të jenë të përgatitur për rihapjen e basteve sportive.
"Nëse do kishte vullnet nga qeveria për të rregulluar këtë sektor, minimalisht duhet të forocohen entet rregullatore. Drejtoria e pastrimit të parave të vendosej në fokus. Dhe Drejtoria e Lojërave të Fatit të mos ishte e papërgatitur përballë kësaj situate. Pasi e morëm vesh në projektbuxhet që do të rihapeshin lojrat e fatit.Pasi nuk kishte një draft paraprak".
Teksa po diskutohen gjobat e biznesit, situata e këtij sektori aktualisht nuk është e qetë. Qeverisë i sugjerohet të ndërmarrë masa lehtësuese.
"Aktualisht biznesi shqiptar nuk është në momentin e tij më të mirë dhe ngarkimi i tij me një barrë gjobash, kamatvonesash, penalitete tatimore në terësi, duket sikur ja vështirëson punën dhe e demoralizon për të ushtruar aktivitetin në mënyrë korrekte."
Që prej ditës kur projektbuxheti i vitit 2023 u prezantua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, ekspertët e konsiderojnë si nismë gjobash, koncensionesh dhe jo të mirëmenduar për qytetarët në një situatë krize.

