Akuzohet se ka ushtruar dhunë në komisariat, shefi i krimeve për Ora News: Akuza të pa vërteta!
Është pezulluar 3 ditë nga puna dhe ka nisur një hetim ndaj shefit të krimeve në komisariatin e Devollit Pashk Syziu.
Mbrëmjen e djeshme janë shoqëruar në komisariat shtetasja Deizi Arapi dhe shtetasi Marsel Buçi, të përfshirë në konflikt për djegien e makinës së këtij të fundit.
Sipas burimeve nga policia, Marsel Buçi pretendon se shefi i krimeve e ka goditur në zyrë, ndërsa është bërë ankesë pranë AMP-së e cila po bën hetime lidhur me këtë rast.
Mësohet se shefi i krimeve është pezulluar për 3 ditë deri sa të vendoset përfundimisht nga hetimet nëse do të ketë shkelje të tij apo do të rikthehet në punë.
Marsel Buçi: Mbrëmë kam dalë për kafe dhe jam konfliktuar me fjalë me Deizi Arapin e cila me ka kërcënuar dhe provokuar që unë ta godisja, por nuk kam reaguar. Pas debatit më njoftuan nga familja që policia po më kërkonte në shtëpi, erdha në banesë dhe më shoqëruan në komisariat. Atje, në zyrën e shefit të krimeve, ku ishte prezent edhe një punonjëse policie, shefi i krimeve pa asnjë shkak më ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me grushte dhe shkelma. Nuk kam reaguar dhe kam qëndruar i qetë derisa hyri në zyrë një tjetër punonjës policie i cili e qetësoi situatën. Më pas shkoj te drejtoria e policisë dhe bëj denoncimin në AMP. Ndihem i kërcënuar, jam shumë i prekur nga kjo situatë dhe ndihem i pasigurt dhe jo i qetë. Në komisariat mbrëmë mbërriti edhe avokati im, dhe deputeti i Bilishtit Bledjon Nallbati.
Ndërkohë, në komunikim telefonik me shefin e krimeve Pashk Syziu, ai mohon për Ora News kategorikisht akuzat, duke thënë se nuk janë të vërteta dhe se ka dëshmitarë në zyrë që e vërtetojnë këtë gjë.
ashtu edhe për akuzat e Marsel Buccit që shefi ka ofenduar Bledjon Nallbatin, edhe kjo mohohet nga ana e shefit të krimeve.
Tashmë priten të përfundojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
