Preken nga projekti i rrugës, banorët e Bërxullës në protestë: S’kemi asnjë njoftim, pa transparencë
Për të katërtën herë, banorët e Bërxullës u ngritën në protestë për ndërtimet në aksin rrugor që lidh Thumanën me Kasharin.
Ata deklarojnë se nuk do të lejojnë vazhdimin e projektit pa u sqaruar më parë për kompensimin e vlerës së tokës, apo të shtëpive që preken nga projekti.
Banorët pretendojnë se projekti i rrugës është devijuar dhe se me ndryshimin në fjalë preken mbi 20 banesa.
Po ashtu, ata thonë se janë kundër vlerës që është përcaktuar si dëmshpërblim për tokat dhe shtëpitë.
Ndërkaq në protestën e së dielës nuk munguan as momentet e tensione mes banoreve dhe përfaqësuesve të kompanisë dhe policisë qe ndodheshin ne terren.
Në përfundim të protestës së të dielës, ata u shprehën se do të mblidhen çdo ditë për të kundërshtuar projektin dhe për të fituar të drejtën e tyre.
Po ashtu, ata pohojnë se nuk ka asnjë komunikim me ta nga instancat shtetërore se çfarë do të bëhet me zhvendosjen e tyre nga zona.
“Punimet janë filluar pa asnjë njoftim dhe nuk dimë se si do të bëhen shpronësimet. I gjithë shpronësimi nuk është duke u bërë konform ligjit. Firma nuk është ulur asnjëherë me banorët, por i ka manipuluar njerëzit me para.”

