Kryeministri Rama do të vizitojë sot Izraelin për të diskutuar kërcënimin kibernetik iranian

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar këtë të dielë në Izrael, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me liderët e politikës atje, si dhe me krerët e inteligjencës izraelite ku në fokus të takimeve do të jetë çështja e sigurisë kibernetike sulmet e Iranit ndaj Shqipërisë.

Siguria kibernetike e vendit tonë, e cenuar rëndë së fundmi nga hakerat iranianë, duket se ka detyruar Kryeministri Edi Rama të udhëtojë drejt Izraelit, në një vizitë ku pritet të takojë liderët izraelitë këtë të dielë.

Lajmi bëhet me dije nga mediet izraelite, të cilat bëjnë me dije  fillimisht kryeministri Rama do të takohet me homologun Jair Lapid, presidentin e vendit Isak Herzog, me liderin e opozitës Benxhamin Netanjau, si dhe me kryeparlamentarin izraelit Miki Levi, në Tel Aviv.

Në fokus të bisedimeve do të jetë forcimi i sigurisë kibernetike, ndaj sulmeve të tilla, të cilat cenojnë rëndë sigurinë kombëtare.

Pjesë e agjendës, nga ato se çfarë raportojnë mediat, do të jetë edhe takimi me krerë të sigurisë kibernetike dhe zyrtarë të tjerë të lartë, duke përfshirë këtu edhe kreun e sistemit kombëtar kibernetik të Izraelit, Gabi Portnoj.

Sipas mediave izraelite Shqipëria muajt e fundit është gjendur në një sulm të paprecedent kibernetik, të cilat kanë nxjerrë ‘jashtë loje’ shumë prej sistemeve digjitale në vend.

Hakerat iranianë, të identifikuar si ‘Homeland Justice’ kanë arritur të thyejnë edhe sistemin ‘TIMS’ dhe disa sisteme të Policisë së Shtetit.

Për shkak të këtyre sulmeve të iniciuar nga shteti iranian, Tirana zyrtare ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranit, muajin e kaluar.