"Vetëm diell, diell, diell", Rama lë të hapur mundësinë e vendosjes së fashës për energjinë në nëntor
Ndërsa muaji nëntor po afron, kryeministri Edi Rama e ka lënë të hapur mundësinë e vendosjes së fashës 800 kilovat për energjinë.
Këtë e lidhi me motin e thatë me diell që ka dominuar përgjatë këtyre ditëve të tetorit.
Edi Rama: Inflacionin e solli Putini me luftën e tij se ka sjellë qeveria jonë. Çdo mundësi e re që do të krijohet, sado e vogël, ne do ta vëmë në dispozicion menjëherë të njerëzve. Sa pamë një mundësi të vogël, një shteg të ngushtë fare, për të mos e vendosur fashën 800 kilovat, edhe pse ajo nuk prek pjesën më të madhe por sidoqoftë psikologjikisht i prek të gjithë, ne e shtymë për nëntorin. Tani çdo ditë diell, diell, diell. Atë e shtymë për nëntorin se patëm disa reshje, pamë dhe disa shenja të mira të kursimit dhe ishte e mundur ta bënim.
Nuk e dimë a e bëjmë dot më në nëntor. Do të duhet të kemi përsëri disa reshje dhe do të duhet të vazhdojmë të kursejmë. Nuk kemi pse e shpenzojmë energjinë kur nuk na duhet, i lëmë dritat ndezur kur nuk duhet. Çdokush që ndez një dritë duhet të ketë parasysh që ta fikë atë dritë kur nuk i duhet. Kështu ka ardhur koha. Ka ardhur koha që Gjermania, vendi më i pasur i botës, po bën shkurtime, plane për shkurtime, uljen e temperaturave të ujit të ngrohtë nëpër shkolla, për mosngrohjen e pishinave publike.
Basti i atij që është në Kremlin është të gjunjëzojë të gjithë Perëndimin jo që të mundë vetëm Ukrainën. Si do ta gjunjëzojë Perëndimin? Duke goditur ekonomitë? Si goditen ekonomitë? Me inflacionin. Çfarë duhet të sjellë kjo? Rrëzimin e qeverive dhe afrimin në qeveri të forcave që janë të paguara, të mbështetura ose janë gati të paguhen dhe mbështeten nga ata.
Deklaratat Rama i bëri gjatë një takimi me qytetarë të Fierit.
