Kriptomonedhat, eksperti: Institucionet shqiptare mungesë informacioni dhe menaxhimi
Duke filluar nga shtatori i vitit 2020, në Shqipëri ka hyrë në fuqi ligji i kriptomonedhave por së pari duhet të jesh i pajisur me licencë për këtë veprimtari.
Monedhat digjitale janë futur në tregun e transaksioneve dhe shërbimeve, por sipas ekspertëve Shqipëria është shumë pas për këtë veprimtari pasi instancat përkatëse kanë mungesë informacioni dhe menaxhimi.
"Institucionet shqiptare po shikojnë lëvizjet që po bëjnë shtetet e tjera dhe normalisht shtetet e tjera janë duke punuar shumë në krijimin e këtyre bankave hibride, banka që funksionojnë për transaksionet e këtyre kriptomonedhave por nuk ka një seli fizike siç janë bankat aktuale."
Anonimiteti është problemi kryesor për lëvizjet e transaksioneve dhe sipas ekspertit shteti shqiptar në këtë pjesë nuk ka ende një draft të detajuar sesi mund të bëhet licencimi dhe ende nuk ka diçka specifike.
Por a rrezikohet ekonomia shqiptare nga paratë digjitale?
"Për pjesën e evazionit, shteti shqiptar mund të bëjë një ligj që merr pjesën e përqindjes së vet. Pavarësisht se bën transaksione me pjesën e kriptove do ketë një lloj tarife apo TVSH për çdo transaksion që bëhet. Patjetër ligji duhet të shikojë çdo detaj sepse dimë që pjesa e kriptove ka edhe sistemin e decentralizuar. Shumë transaksione bëhen anonime. Ti nuk ke asnjë lloj raporti se çfarë blihet, çfarë leku lëviz, nga vjen dhe ku shkon."
Ekspertët theksojnë se Shqipëria nuk është larg licencimit të kriptomonedhave pasi kjo po shihet si një nevojë që njerëzit të kryejnë transaksione me monedha digjitale.
Por qeveria duhet të ketë të përpiluar mirë një draft-ligj për mënyrën e kontrollit të parave dhe transaksioneve.
