Rama sulmon opozitën nga Fieri për vdekjen e Laer Kurtit: Po nxit gjakderdhje. Hiena (Berisha) shqeu kufomën në televizione
Në takimin me qytetarë të Fierit, kryeministri Rama akuzoi opozitën dhe median se nxijnë realitetin dhe arritjet e qeverisë së tij.
Madje Rama, referuar vdekjes së të riut Lear Kurti dhe protestave për të, akuzoi opozitën se po nxit konflikt dhe gjakderdhje.
Rama: Thonë që në fshat njerëzit po vdesin për bukë, fshati është zbrazur dhe nuk ka më njeri, thonë që Shqipëria nuk prodhon më, prodhohen vetëm plehra, çdo gjë që ha të helmon. Kjo ushqehet në mënyrë të përditshme nga opozita e rublave, çorba e rublave. Ai grupim që i ka bërë shumë dëme Shqipërisë në vijim por tanimë po demaskohet komplet.
Në një kohë kur gjithë bota është prekur drejtëpëdrejtë nga lufta, inflacioni i luftës dhe ne qeveria shqiptare bëjmë gjithçka mundemi për ti lehtësuar njerëzit këta janë shfaqur më egër se kurrë në një përpjekje skandaloze të turpshme që shkel çdo lloj kufiri njerëzillëku për të nxitur konflikt, për të nxitur rrëmujë deri në gjakderdhje.
E patë çfarë ndodhi tani në fund, vdiq një i ri për një arsye që tanimë është shpjeguar qartësisht nga prokuroria, mjekësia ligjore, policia dhe sapo doli lajmi pa pritur asnjë ekspertizë, asnjë rezultat, prononcim të institucioneve doli hiena e madhe dhe bashkë me të dhe hienat e vogla dhe filluan ta shqyenin kufomën nëpër televizione. Duke kërkuar që njerëzit të ngrihen se policia vrau një tjetër të ri. Si mund të ndodhë kjo? Si mund të përdhunohet një i vdekur në këtë farë feje?
Edhe për situatën ekonomike që sa vjen e vështirësohet, Rama sërish fajin e gjen te opozita dhe media.
Rama: Si mund të ndodhë kjo kur ky vend, ky popull, ky shtet është nën presionin e një lufte që nuk ka sjellë këtu bomba dhe presionin për tu bërë refugjatë, por ka sjellë inflacionin e luftës. Inflacionit të luftës nuk i shmangesh dot, se nuk rri dot pa ngrënë derisa të mbarojë lufta.
Do dalësh të blesh dhe në momentin që blen do ta ndjesh. Në këtë kohë kaq të vështirë ka 1001 arsye për tu çuar, kritikuar, akuzuar, për të bërë të gjithë përjekjet në funksion të një alternative tjetër, si t'ja bëjmë me energjinë elektrike? Por nuk mundet në asnjë mënyrë të shkosh deri në pikën që të kërkosh revolucion, përmbysje, sherr, konflikt, luftë brenda përbrenda me policinë, institucionet duke shpifur për një viktimë.
Ky është kulmi. Ata që u shkojnë pas këtyre hienave duhet ti bëjnë pyetjen vetes: Çfarë shqiptarësh janë këta?Kujt më shumë se atij që ka vënë bastin në Kremlin i interesojnë këto poshtërsi? Askujt! Askush nga ju në shtëpitë tuaja nuk e ndjen krizën e energjisë.80% të faturës e paguan qeveria që nga rritja e çmimit në tregun ndërkombëtar.
Dhe për fund nuk mungonte dhe një premtim në funksion të zgjedhjeve vendore që po afrojnë.
Rama: Pavarësisht vështirësive, pensionistëve sërish do tu japim bonusin e tyre të posaçëm në fillim të dhjetorit që ta kalojnë Vitin e Ri pa qenë të tmerruar nga pesha e inflacionit.
