Shoqërohen në polici Deizi Arapi e Marsel Buçi, nisin hetimet për shefin e krimeve për dhunë

Fillon hetim ndaj shefit të krimeve në komisariatin e Devollit, për veprën “kryerja e veprimeve arbitrare”.

Mbrëmjen e djeshme janë shoqëruar në komisariat shtetasja Deizi Arapi dhe shtetasi Marsel Buçi, të përfshirë në konflikt për djegien e makinës së këtij të fundit.

Gjatë konfliktit në komisariat mes palëve, familjarët e Marselit kanë telefonuar deputetin Bledjon Nallbati i cili ka qenë prezent në ambientet e jashtme të komisariatit për tu interesuar për ngjarjen.

Sipas burimeve nga policia, Marsel Buçi pretendon se shefi i krimeve e ka goditur në zyrë, ndërsa është bërë ankesë pranë AMP-së e cila po bën hetime lidhur me këtë rast.

“Mbrëmë kam dalë për kafe dhe jam konfliktuar me fjalë me Deizi Arapin e cila me ka kërcënuar dhe provokuar që unë ta godisja, por nuk kam reaguar. Pas debatit më njoftuan nga familja që policia po më kërkonte në shtëpi, erdha në banesë dhe më shoqëruan në komisariat. Atje, në zyrën e shefit të krimeve, ku ishte prezent edhe një punonjëse policie, shefi i krimeve pa asnjë shkak më ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me grushte dhe shkelma. Nuk kam reaguar dhe kam qëndruar i qetë derisa hyri në zyrë një tjetër punonjës policie i cili e qetësoi situatën. Më pas shkoj te drejtoria e policisë dhe bëj denoncimin në AMP. Ndihem i kërcënuar, jam shumë i prekur nga kjo situatë dhe ndihem i pasigurt dhe jo i qetë. Në komisariat mbrëmë mbërriti edhe avokati im, dhe deputeti i Bilishtit Bledjon Nallbati.”

Mësohet se shefi i krimeve është pezulluar për 3 ditë deri sa të vendoset përfundimisht nga hetimet nëse do të ketë shkelje të tij apo do të rikthehet në punë.