Rama ja lë oligarkët në derë opozitës: Çuan në Kushtetuese VKM për ndërtimet pa leje, u është ofruar lek i madh
Kryeministri Edi Rama akuzoi Partinë Demokratike se është vendosur në shërbim të oligarkëve për ndërtimet pa leje.
Nga Fieri, ai tha se demokratët e dërguan vendimin e qeverisë në Kushtetuese se u është ofruar lek i madh.
Rama: Së shpejti do vendosim tatimin e jashtëzakonshëm për tre prodhuesit e mëdhenj të energjisë.Ndryshe nga çfarë thonë ata ne nuk jemi partia e oligarkëve. Cilët janë me oligarkët,ne që po ua marrim dhe do t'ua marrim të gjithë metrat katrorë pa leje që i kanë bërë për qëllim fitimi tek ato pallatet që medemek janë të miat apo te ato pallatet që janë të Lali Erit, apo te ato pallatet që ishin dje dhe janë sot të kryetarëve të bashkive të bregdetit.
Të tëra do ti dorëzojnë dhe ne do ti marrim o për shtetin o për popullin, njerëzit që kanë nevojë për strehim. Ndërkohë ata që janë kundër oligarkëve e çojnë në Gjykatë Kushtetuese sepse vetë ndërtuesit nuk mund ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese. Çohet një parti politike, ajo Demokratike, e çon në Gjykatë Kushtetuese.
Si çohet në Gjykatë Kushtetuese për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, që këta ti mbajnë ato? Pse? U është ofruar lek i madh, është hapur thesi i rublave nga e para për të bërë prapë rrëmujë, për të bërë prapë konflikte dhe kaos dhe përsëri për të na lënë ne dopio gjashtën dhe për ti ndarë paratë me ata të cilët do ti dorëzojnë se s'bën ato metrat katrorë.
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, më 14 tetor, në emër të grupit parlamentar të PD, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të qeverisë për ndërtimet pa leje.
Sipas Bardhit vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cenon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cenon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji; është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend; është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
