Gjirokastër, po transportonte emigrantë të paligjshëm, prangoset 54-vjeçarja
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar "Road Guard 45" në qarkun e Gjirokastrës.
Transportonte 3 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 54-vjeçarja, ndërsa që janë sekuestruar 1 automjet, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar "Road Guard 45", si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. O., 54 vjeçe, banuese në Finiq.
Në vendin e quajtur "Ura e Kardhiqit", shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip "Mercedes Benz", me drejtuese shtetasen F. O., e cila nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por është larguar me shpejtësi. Pas ndjekjes dhe ndalimit të automjetit nga shërbimet e Policisë, rezultoi se shtetasja F. O. ishte duke transportuar me automjetin tip "Mercedes Benz", 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.” – njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
