Në kërkim të spiunëve në politikë, PS depoziton dy pr/ligje, por nuk ndalon sekretarët e partive
Partia Socialiste kërkon të largojë spiunët nga politika dhe funksionet publike dhe politike që zgjedhen nga Kuvendi duke depozituar dy nisma ligjore për ndryshime në ligjin e dekriminalizimit dhe partive politike. Por mazhoranca është tërhequr nga kërkesa e tyre fillestare për të ndaluar edhe sekretarët e partive për të mos u zgjedhur apo drejtuar subjekte zgjedhore.
Pasi shfuqizoi komisionet Mezini-Bezhani në parlament edhe me votat e demokratëve, Partia Socialiste ka depozituar në Parlament dy nisma ligjore për të penguar bashkëpunëtorët dhe përfituesit e ish-Sigurimit nga jeta politike në vend.
Me anë të ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit, mazhoranca synon që çdo person që ka patur lidhje funskionale apo bashkëpunëtor me ish sigurimin nuk mund të zgjidhet deputetë, kryetar bashkie, kryeministër apo funksione të tjera publike të zgjedhur nga Kuvendi.
"Oficerë, punonjës operativë të Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorë sekretë të sistemit dhe spiunë apo denoncues të mos kenë mundësi pas miratimit të këtij projektligji që depozitojmë të jenë pjesë e vendimmarrjes në çfarëdo niveli qoftë ai. Këtij detyrimi ligjor do ti nënshtrohen jo vetëm ata që duan në të ardhmen të jenë pjesë e funksioneve shtetërore, por dhe ata që janë aktualisht në pozicione të tilla pavarësisht nëse e kanë apo jo një certifikatë pastërtie".
Por socialistët kanë përjashtuar nga dokumenti i tyre sekretarët e partive, pavarësisht deklaratave publike ndaj Sali Berishës.
"Jemi duke u marrë me pjesën që ka të bëjë me ish-Sigurimin e Shtetit. Në asnjë prej vendeve të tjera nuk gjendet që Sekretari i Partisë apo varkëtari i diktatorit, Sali Berisha, të jenë në grupin e personave që hyjnë në ndalesën e ligjit."
Ky pastrim politik sipas ps do të bëhet nëpërmjet vetëdeklarimit, dhe në rast të refuzimit për të bërë transparencë për të shkuarën e një funksionari publik ndaj tij do të ketë edhe penalizime.
"Humbje e të drejtës për të qenë pjesë e posteve publike qoftë nëpërmjet zgjedhjes apo emërimit, personi ngarkohet me përgjegjësi penale për deklarim të rremë njëlloj si ka funksionuar deri më tani ligji i dekriminalizimit".
Ndërsa në ndryshimet në ligjin për partitë politike kërkohet që bashkëpunëtorët apo përfituesit e ish sigurimit të mos zgjidhen në krye të një partie politike.
"Nuk mund të jenë kryetarë të partive politike në një sistem politik pluralist demokratik ata që kanë qenë dikur bashkëpunëtorë në status oficeri, në status denoncuesi të Sigurimit të Shtetit."
Ndërsa në ndryshimet në ligjin për partitë politike kërkohet që bashkëpunëtorët apo përfituesit e ish sigurimit të mos zgjidhen në krye të një partie politike.
