“Universitetet si gjimnazet”, Pedagogët: Nuk ka kërkim shkencor, laboratoret si në shkollat e mesme

Student i vitit të parë në Inxhinierinë Ekonomike, ky i ri qëndroi i vetëm të premten në auditor në pritje të pedagogut të fizikës.

"Unë vetë dua që të zhvillohet mësim," tha ai.

Teksa zhvillohej protesta në oborrin e Universitetit Politeknik, në disa klasa u zhvillua mësim e në të tjera karriget ishin bosh.

Studentët i mbështesin profesorët në kërkesat që kanë, por kërkojnë të zhvillojnë mësim.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Mësimi është zhvilluar normalisht, që ditën e parë. Patjetër që kërkojmë të rikthehen në auditore, pasi edhe mësimi jonë është i rëndësishëm. Çdo ditë e humbur është më keq për ne," tha një studente.

Pedagogët nuk tërhiqen nga kërkesat.

Avni Meshi, mbi 23 vite profesor thonë se pagat janë në nivelin e mbijetesës.

"Me rritjen e fundit të çmimeve, kemi kaluar neë nivelin e varfërisë. Me këto rroga nuk e përballojmë dot jetesën," tha ai.

E cilëson emergjente shtimin e buxhetit për kërkimin shkencor pa të cilin thotë se se universitetet nuk dallojnë nga gjimnazet.

"Tre shtylla ka arsimi i lartë: Mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe infrastrukturën e universiteteve. Infrastruktura është përtokë, laboratore kërkimore nuk ka. Vetëm laboratore didaktike që ngjajnë me ato të shkollave të mesme," tha ai.

Të premten pedagogët ishin më të pakët në numër.

"Nuk do merremi shumë me numrat, po me çfarë përfaqëson ky bojkot dhe kjo rezistencë," tha Aleksander Kovaçi.

Kërkojnë nga qeveria reagim për shqetësimet e ngritura përgjatë tubimeve . Të hënën në orën 11 paralajmëruan protestë kombëtare.

"Gjendja aktuale i ka treguar rezultatet. Domethënë braktisjen e universiteteve publike nga studentët, braktisjen e Shqipërisë nga të rinjtë. Dhe ne nuk do ta lejojmë këtë. Nëqoftëse kruyeministri jonë do ta lejojë ne nuk do ta lejojmë," tha ai.

Në javën e parë të vitit akademik ndryshe nga sa u lajmërua bojkoti nuk ishte i plotë.

Disa universitete refuzuan të ndërpresin mësimin. Nga ana tjetër qeveria mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj duke mos pranuar të rrisë pagat me 50% siç kërkojnë pedagogët.