Vdekja e Lear Kurtit, Rama mbron policinë: Opozita do të nxjerrë njerëzit në rrugë
Ende pa u shpallur data e zgjedhjeve, kryetari i socialistëve Edi Rama ka nisur takimet intensive në rrethe, duke u përqendruar te sulmi i opozitës. Ka qenë ngjarja e së 19 tetorit 2022, kur 32-vjeçari Lear Kurti humbi jetën në komisariatin e policisë që ka sjellë dhe përplasjen e parë. Kundërshtarët politik të PS shprehen se i riu vdiq nga dhuna, por Rama para mbështetësve të tij nxjerr raportin mjeko-ligjor.
Edi Rama: "Kanë që dje që akuzojnë policinë e shtetit se ka vrarë një djalë të ri. Policia e Shtetit ka pezulluar personat që të mos jenë të përfshirë në asnjë lloj procesi. Eshtë ngarkuar Agjencia përkatëse që bën gjithë investigimin, është mjekësia ligjore që bën punën e vet, nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë, pra që të ketë qenë ndonjë gjë e bërë me të keq dhe gjithsesi, të gjithë presim përfundimin: autopsia, raporti i mjekësisë ligjore e me radhë.
Madje ai shton se qëllimin PD e ka te protesta.
Edi Rama: "Çfarë lloj qeniesh janë këta që iu dalin njerëzve si gogolë nëpër ekranet e televizorëve, pse? Sepse duan t’i nxjerrin njerëzit rrugëve."
Nga sulmet në parim ndaj opozitës Rama u ndal dhe te individët. Agron Shehaj në facebook deklaron se nuk ka ndërtim pa leje, por Rama shton se IMT po bën detyrën pavarësisht kush është investitor.
Edi Rama:"Ka bllokuar godinën për të cilën pronarja, investitorja nuk e di, thoshte vazhdimisht: e kam hotel, e kam hotel dhe brenda na gjendet një biznes i një deputeti, një ballist foltoreje"
Në takim Rama iu premtoi fermerëve ndryshimin e skemës si për mbështetjen financiare ashtu dhe për tregtimin e mallrave.