Të kapërdish një qese duhet të paktën një filxhan me vaj ulliri, thotë Berisha, fton të rinjtë në protestë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar edhe njëherë për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili vdiq në duart e efektivëve të policisë së Tiranës në orët e para të së enjtes, 19 tetor 2022. 

Pavarësisht se sipas ekspertizës atij i është gjendur ne stomak doza kokaine, Berisha mbetet i të njëjtit qëndrim Lear Kurtin e vranë për së dyti, duke shtuar se qesen ia kanë vendosur në stomak.

Sali Berisha:“Atëherë Ardi Veliu njoftoi se në një pellg u gjet një revole. Dje ai njoftoi se në stomak u gjet një qese plastike me kokainë. Iu vendos një qese me kokainë njësoj si revolja në pellg. Çfarë e shtyu Ardi Veliun dhe Çuçin në një akt shpellor mafioz autopsie, dezinformimesh. Ishte epileptik, vuante nga kjo, përdorte këtë. Ku shkuan kamerat?

Qesja ka shumë shanse që është vendosur me dorë. Të kapërdish një qese është jashtë imagjinate. Duhet të kesh aty të paktën një filxhan me vaj ulliri që ta shtysh. Si kalon qesja në ezofag, këtë e di Ardi Veliu. Edhe po të jetë qesja, ajo kurrsesi nuk është vdekjeprurëse.

Nisur nga kjo Berisha Kërkoi dorëheqjen e Ministrit Çuçi dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarë të dalin në protestë kundër vrasjeve nga policia.

Sali Berisha:“Kemi të bëjmë me një skenar, me të cilin e vranë për së dyti Lear Kurtin. Kërkoj menjëherë largimin nga detyra të ministrit të familjes, që së bashku me Ardi Veliun që janë të gatshëm që të falsifikojnë çdo krim. Të rinjtë kanë lënë një protestë. Ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në protestë. Sepse pritet kush do jetë i riu i radhës që do ekzekutohet nga policët e droguar, ose që do humbasë jetën nga keqtrajtimet brutale.”

32-vjeçari, Lear Kurti, vdiq në duart e policisë së Tiranës më 19 tetor 2022 në një ngjarje të ngjashme me rastin e Klodian Rashës.

Ndersa ligjin e miratuar per hapjen e dosjeve Sali Berisha e ka cilesuar si gjueti shtrigash kundër Ilir Metës. Ai nuk i kurseu kritikat edhe për deputetët e PD-së që votuan nismën e PS-së mbrëmjen e së enjtes.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me fatin që do të ketë grupi i deputetëve të rreshtuar krah Enkelejd Alibeajt, Berisha tha se ky grup i ka të hapura dyert, si për bashkim të plotë, si për fraksion.