"Emigracioni, gruaja apo 20%", Aleanca për mbrojtjen e Teatrit pyet kryeministrin: Si i ngrite sarajet në Surrel
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi një protestë kundër betonizimit të Tiranës në vendin ku më parë ndodhej Teatri Kombëtar. Aktivistët akuzuan se krimi me Teatrin ndodhi për interesa të betonizimit të kryeqytetit. Robert Budina solli në vëmendje deklaratën e Kryeministrit mbi kontrollin e pasurisë së pedagogëve, duke e cilësuar atë si kërcënuese ndërsa apeloi që politikanët ta nisin vetingun nga vetja.
Truallin ku dikur ka qenë godina e Teatrit Kombëtar sot një shesh ndërtimi përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit e quajtën skenë krimi.
Aktori, Robert Budina, kërkoi nga SPAK të reagojë për kallëzimet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ndër vite.
Budina solli në vëmendje deklaratën e Kryeministrit mbi kontrollin e pasurisë së pedagogëve, duke i konsideruar deklaratat e tij si kërcënuese.
Budina: Kryeministri iu bëri presion pedagogëve se do tu kontrollonte makinat tuaja se si i keni blerë. Unë dua ti them kryeministrit se pse nuk e nis nga vetja? Si e ke bërë vilën në Surrel, sarajet më saktë? Ti na thua se e ke bërë me paratë e emigracionit. Dhe ne e kemi provuar emigracionin në kurriz. Nuk bëhen sarajet me paratë e emigracionit.Njëherë na thua se ta ka paguar gruaja. Pastaj na thua se e ke bërë me paratë e librit, pastaj të pikturave.
O burrë mos të ka ikur mendja bre, se mbase e ke bërë me paratë e 20% të këtyre kullave që shohim të ngrihen ditë e natë në Tiranë. Mos e ke bërë me paratë e incineratorëve, apo të portit të Durrësit e Teatrit Kombëtar që ti e prishe se more lekët e mafies, se nuk kishte arsye e ligj që të lejonte ta prishje natën.
Gjatë protestës aktivistët i bënë thirrje edhe diplomacive të huaj dhe Ambasadës Amerikane ti dëgjojnë zërin e qytetarëve pasi sipas tyre me Teatrin Kombëtar është kryer një paligjshmëri.
Pjesëmarrësit në protestë thanë se shembja e Teatrit Kombëtar u krye për interesa të betonizimit të kryeqytetit.