Kuvendi i hap rrugën rihetimit për Ilir Metën. "Shfuqizohen" komisionet "Bezhani" e "Mezini". Hapen dosjet e ish-sigurimit të shtetit

Kuvendi miratoi me 94 vota pro, 1 abstenim e asnjë kundër propozimin e PS-së për rivlerësimin e zyrtarëve të pajisur me çertifikatë pastërtie.

Projektligj "Per nje ndryshim ne ligjin nr.45/2015 "Per te Drejten e Informimit per dokumentat e IshSigurimit te Shtetit te Republikes Popullore Socialiste te Shqiperise", te ndryshuar u hodh për votim pak para mesnatës së 20 tetorit 2022 pak pasi fjalën e mbajti kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj dhe kryeministri Edi Rama.

Edi Rama:"Jo, me vrap. Rrezik është me shtetasin I.M. tani nëqoftëse është ai që thonë gojët e liga. Unë shpresoj që jo. Ndërsa kjo pastaj e sekreteve shtetërore është një çmenduri tjetër, kështu që edhe kjo merr fund tani, s’ka sekrete shtetërore të asaj kohe. Do ta marrësh, do ta hapësh, merre, hape, shihe, lexoje, s’ka asnjë problem, aq më mirë akoma që vihet edhe një kufizim me ligj për titujt, dekoratat, deklarata mirënjohjeje, certifikata sepse kanë ndodhur gjëra të pahijshme edhe të panevojshme për të cilat personalisht edhe unë kam marrë kot kosto. Se ç’lidhje kam unë që të bëhet X, Y, qytetar nderi befas në një zonë apo një tjetër, por ja që tek ne ka rënë me të drejtë. Kështu që vihet edhe kjo. Edhe kryetarët e bashkive, edhe këshilltarët, edhe prefektët e të gjithë ata që marrin përsipër të japin tituj e dekorata, të përmbahen e të shikojnë. Edhe emrat e institucioneve, shkollave etj, aq më mirë."

Pr/ligji u miratua me votat e deputetëve socialistë dhe deputetëve demokratë të grupit parlamentar të Enkelejd Alibeajt ndërkohë që deputetët demokratë mbështetës të Sali Berishës nuk ishin në seancë në momentin e votimit.

Enkelejd Alibeaj: Po të hapen dosjet për I.M, E.A dhe I.R ky është qëndrimi moral. Arsyeja e qëndrimit tonë në këtë çështje shumë të rëndësishme është për ti bërë shërbimin shqiptarëve dhe jo luftës politike.  Se kjo luftë politike brenda, majtas djathtas me thika pas shpine, ky ka qenë kurthi që ka bërë që impulset pozitive për të bërë pastrimin e politikës nuk ka shkuar asnjëherë në fund. Ne për të tilla ligje që i shërbejnë shoqërisë vota jonë është pro. Ama ligje me porosi për individë të veçantë që është një metodë e sigurimit në demokraci nuk do të kesh votën tonë asnjëherë.

Shfuqizohen komisionet "Bezhani" e "Mezini"

Me këto ndryshime i hapet rrugë shfuqizimimit të komisioneve “Bezhani” e “Mezini” dhe i jep të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me një çertifikatë pastërtie nga dy komisionet e mëparshme që ushtruan aktivitetin në vitet ’90. Në këtë mënyrë duket se hapet rruga për të verifikuar nëse dhe ish presidenti Meta ka qenë ose jo bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Ndërhyrjet ligjore ishin kërkuar nga vetë Autoriteti i Dosjeve në një shkresë zyrtare drejtuar parlamentit në korrik, ku ngrihej shqetësimi për persona me poste të larta publike, që kishin rezultuar si pjesë e strukturave të ish Sigurimit të Shtetit. Shkresa, ishte nxitur nga fakti se Autoriteti ishte vënë në dijeni se emri i ish presidentit Ilir Meta “figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit”.

Ish presidenti Meta aktualisht në krye të Partisë së Lirisë thotë se I.M që ka dalë në dosjet e ish sigurimit të shtetit nuk është ai por një person tjetër.

Do hapen dosjet e ish sigurimit te shtetit 

Gjithashtu u miratuan edhe amendamenti i propozuar nga PD që çdo kush mund të kërkojë dosjen e tij, por duhet ta argumentojë pse e kërkon dhe nëse të dhënat do të dalin në publik e të keqpërdoren, do të mbajë përgjegjësi.

Amendamenti i PD-se: “Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre, në përputhje me ligjin  për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi  të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i  nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit  është në përpjestim të drejtë me interesin  e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.”