OSHEE "shkul” shtyllat në Vlorë, ishin lënë në rrugë nga bashkia dhe firma e ndërtimit
Pas një materiali të transmetuar në RTV ORA, institucionet kanë reaguar në lidhje me disa shtylla që ishin lënë në mes të rrugës në Vlorë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, edhe pse nuk ishte përgjegjës për situatën të mërkurën nisi një aksion për largimin e shtyllave të tensionit që ishin në mes të rrugës në një lagje në qytetin bregdetar.
Shtyllat në mes të rrugës në lagjen Kume të Vlorës, te transmetuara të martën në RTV ORA kanë nxitur reagimin e institucioneve.
Edhe pse ka qenë Firma ndërtuese së bashku me bashkinë Vlorës të cilat kanë përgjegjësi direkte për këtë situatë, të mërkurën u angazhua OSHEE.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, u angazhua për të larguar shtyllat nag mesi i rrugës, të cilat ishin lënë aty pas asfaltimit të aksit.
"Të gjithë ato punime që po bëhen këtu janë pjesë e një projekti të miratuar nga Bashkia e Vlorës me Fondin e Zhvillimit që financon. Punimet po bëhen nga një firmë që ka fituar me procedurat e zakonshme, që nuk është puna jonë.
Ajo është pjesë e procesit të tyre, për të realizuar të gjithë projektin. Projekti përfshin kanalizimet, sistemimet me asfalt, me trotuare dhe mure rrethues, me infrastrukturën elektrike, ujore," tha Avier Hoxhaj.
Sipas drejtorit të OSHEE Vlorë Avier Hoxhaj largimi i të gjithë shtyllave nga rruga pritet të bëhet brenda një jave.
"Thjesht ne po japim suport për të zgjidhur problematikën e qytetarëve. Ne nuk jemi pjesë e strukturave në këtë moment. Thjesht po japim suport.
Në bazë të një konsultimi që patëm me drejtuesit e firmës, besoj brenda një jave do të sistemohet situata," tha ai.
Shqetësimin e këtyre shtyllave në mes të rrugës, e ngritën banorët e lagjes dhe drejtuesit e mjeteve të cilët thanë se ato janë rrezik real për aksidente.

