Bisedimet për paqe/ Me 4 dhjetor votohet për primaret, deputetët pozitiv për negociatat, Agalliu kërkon parti të re
Negociatat mes grupimeve në PD, këtë të martë kanë nisur nga kafeneja. Pas takimit Paloka-Bardhi. Berisha mblodhi kryesinë, duke u lënë 10 ditë kohë bisedimeve para se të kalohet në emra konkretë për kandidatë në zgjedhjet lokale. Nga ana tjetër Enkelejd Alibeaj mblodhi grupin, e në përfundim të mbledhjes pati një qasje pozitive për emrat të përbashkët kundër Edi Ramës. Megjithatë burime bëjnë me dije se ky takim nuk ka kaluar pa debate.
13 muaj pas ndarjes së madhe, demokratët tentojnë ribashkimin në çatinë e selisë blu.
Takimi i parë mes dy bashkëbiseduesve të zgjedhur, Edi Paloka e Gazmend Bardhi, ende nuk ka prodhuar një rezultat dhe çështja e vulës, por edhe primaret duket se i mbajnë larg palët.
Edhe pse asnjëra prej tyre nuk u shpreh për diçka të tillë. Gazmend Bardhi u largua nga kafja me Edi Palokën, pa dhënë një deklaratë.
Bardhi: Ju përshëndes të gjithëve.
Pas tij doli menjëherë Edi Paloka. Edhe ai si kolegu i tij nuk dha detaje mbi takimin.
Paloka: Kur të kemi diçka konkrete do t'ju njoftojmë. Takimi nuk ka dështuar, është një vullnet i përbashkët për të dalë me një kandidat.
Por, ky takim u pasua me dy zhvillime të rëndësishme.
Sali Berisha mblodhi Kryesinë e Partisë Demokratike, ku dha këtë mesazh.
Berisha: Janë zhvilluar dhe do zhvillohen takime intensive me aleatët tanë për të gjetur gjuhën e përbashkët. Kanë sugjerime të drejta.Mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre, mirëpriten kandidaturat e tyre. Ne hapim një garë.
Por përtej deklaratës publike duket se Sali Berisha po iu jep kohë negociatave. Burimet bëjnë me dije se Sali Berisha iu ka dhënë 10 ditë kohë negociatave.
Më pas, deri më 6 mëntor do të identifikohen kandidatët, në një proces ku përfshihen edhe aletatët.
Nga data 6 nëntor e deri më 13 nëntor do të ketë një filtrim të kandidaturave.
E nga ky moment e deri më 4 dhjetor, kandidatët zyrtarë do të kenë kohë të zhvillojnë fushatë për garën brenda partisë.
Më 4 dhjetor në të gjithë Shqipërinë do të votohet për primaret, ku do të dalin emrat që do të jenë përballë socialistëve në zgjedhjet lokale.
Përjashtim nga këto afate mund të bëjnë vetëm bashkitë e mëdha, si Tirana, Elbasani apo Durrësi.
Por teksa Sali Berisha po mbyllte mbledhjen në selinë blu, Enkelejd Alibeaj thirri grupin parlamentar më qëllim që Gazment Bardhi t’i informonte për diskutimin e bashkimit.
Në fund të kësaj mbledhje, si Albeaj edhe Bardhi folën me tone pozitive.
Alibeaj: Nevoja dhe interesi për të dalë me një kandidat të përbashkët mendoj se është synim i cili nuk ngërthen nevojën vetëm për të dalë me një kandidat, por me një kandidat fitues madje.
Bardhi: Dua të konfirmoj që takimi ka qenë konstruktuiv dhe me frymë të plotë mirëkuptimi për të gjetur një mekanizëm që siguron bashkëpunim të sinqertë mes demokratëve.
E në fakt edhe mbledhja ishte pozitive, me përjashtim të deputetit Arbi Agalliu.
Burimet thanë se deputeti i qarkut të Vlorës është shprehur kundër negociatave, duke kërkuar që ky grupim parlamentar të iniciojë një proces për krijimin e një partie të pavarur nga Sali Berisha.
