"Vreshtat thahen për ujë", në Panaja të Vlorës nuk ka kanale vaditëse

Fermerët në vendin tonë vijojnë të denoncojnë mungesën e investimeve dhe mbështetjes nga ana e institucioneve shtetërore. Në fshatin Panaja të Vlorës, kultivuesit e rrushit dhe të ullirit thonë se po hasen në probleme të mëdha sa i përket vaditjes. Ata thonë se kanalet vaditëse në fshatin e tyre nuk pastrohen dhe kanë dalë jashtë funksionit.

Panajaja është një ndër fshatrat e pakët në Vlorë i cili kultivon disa varietete të rrushit.

Por teksa ekonomia e fshatit ndër vite është mbajtur nga vreshtat, ulliri dhe prodhimet e tyre si vaji apo rakia, fermerët atje thonë se nuk kanë ujë për vaditje.

Problem kryesor sipas banorëve është kanali vaditës.

"Ujë nuk ka. Spërkatjen e bëj me bidonat me ujë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

E di çfarë mungon këtu? Uji është në rradhë të parë. Edhe këto rrugët dytësore" thonë banorët.

Për shkak të mungesës së ujit, prodhimet e tyre po thahen, e disa po kalben në vreshta.

"Prodhimi ka qenë mirë, por një pjesë e prishi koha, thatësira," tha një banor.

Ata apelojnë institucionet e shtetit që të kthejnë sytë nga ta dhe të ndihmojnë me investimet në kanalet vaditëse, në të cilat prej vitesh nuk është vënë dorë.

"Shtetin se kemi parë kurrë këtu për vreshtarinë. Bëjmë kërkesa, i bëjmë dokumentat. Ka bërë djali disa herë kërkesë, dhe kur vjen puna nuk jepen lekët," tha ai.

Në shumë zona të Shqipërisë fermerët kanë denoncuar neglizhencën e institucioneve dhe mungesën e ndihmës për ta.