Sistemi TIMS ndërpritet për dy orë, Policia e Shtetit: Nuk ishte sulm kibernetik

Një muaj pas sulmit kibernetik, sistemi TIMS pësoi ndërprerje për disa orë mbrëmjen e të martës duke krijuar problematika e vonesa në Rinas, në porte dhe në pikat kufitare tokësore. Policia e Shtetit tha se kësaj radhe shkak i ndërprerjes nuk ishte ndonjë sulm, por një proces mirëmbajtje që do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Sistemi TIMS u ndërpre për mbi dy orë mbrëmjen e të martës (18 tetor 2022) duke krijuar vonesa në lëvizjen e qytetarëve në kufi.

Pikat kufitare tokësore, portet dhe aeroporti i Rinasit, raportuan rreth orës 22.00 se sistemi nuk po aksesohej nga policia kufitare e cila është detyruar që për më tepër se një orë, të regjistrojë hyrje-daljet manualisht.

Problematika ka vazhduar nga ora 22.00 deri në mesnatë. Policia e Shtetit mohoi zërat se ndaj sistemit TIMS ka pasur sulm kibernetik.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas reagimit, në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës në sistemin TIMS mbrëmjen e të martës, u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje.

Këto procese, ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por sipas policisë, pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në njoftim thuhet se pas ndërhyrjes së shkurtër mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS është kthyer funksional, në të gjitha pikat kufitare.

Policia bëri me dije se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS. 

Si pasojë e ndërhyrjes së kryer nga specialistët për mirëmbajtjen e sistemit, dogana e Kapshticës punoi me ndërprerje kurse pikat e tjera si ajo e Qafë Thanës, Tushemishtit dhe Goricës kanë bërë përpunimin e udhëtarëve manualisht.

Po kështu probleme ka pasur edhe Kakavija, ku është bërë regjistrimi manual i udhëtarëve.

Ndërprerja e shërbimit të sistemit ka prekur edhe pikat kufitare të Shkodrës, Muriqanin e Hanin e Hotit por edhe Portin e Durrësit e Vlorës ku 70 pasagjerë kanë hipur me vonesë në tragetin me të cilin do të udhëtonin.

Më 9 shtator sistemi TIMS u prek nga sulmi kibernetik i Iranit dhe për disa javë qëndroi jashtë funksionit për tu rikthyer në përdorim 10 ditë më parë.