Plot 44 vite nën internim, Simon Miraka rrëfehet për “Dosjet” – Ora e Betit
I lindur në burg, Simon Miraka kaloi 44 vite të jetës së tij në internim gjatë regjimit komunist. Sot 78 vjeç, ai nuk i di emrat e atyre që i shkaktuan vuajte atij dhe familjarëve.
Dosjen nuk e ka gjetur edhe pse për mbi 5 vite ka qenë anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Dyshohet se një pjesë e tyre janë asgjësuar para rënies së diktaturës. I ka ndjekur me vëmendje debatet e fundit politike.
Mendon se dosjet nuk duhet të hapen plotësisht pasi sipas tij Shqipëria nuk është ende gati. Thotë se hapja totale e tyre do të shkaktonte pasoja të rënda në shoqëri.
Thekson se verifikim duhet të ketë vetëm për ata persona që kërkojnë të jenë pjesë e administratës së lartë publike, për të tjerët ky proces është i panevojshëm.
Për këtë proces që e cilëson shumë delikat thotë se mjafton të ndiqet shembulli i institucioneve gjermane. Atje dosjet nuk janë hapur plotësisht.
Simon Miraka kërkon që të mbeten në fuqi certifikatat e pastërtisë të dhëna nga Komisionet Mezini e Bezhani të ngritur pas rënies së regjimit komunist.
Nëse puna e atyre komisioneve, do të hidhet poshtë thotë se historia e dosjeve nuk ka për të përfunduar kurrë.
Për Simon Mirakën iniciativa e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për të ndryshuar ligjin për hapjen e dosjeve ka prapavijë politike.
Megjithatë shprehet se ligji aktual ka nevojë për ndryshime por miratimin i tyre duhet të bëhet në konsensus të plotë mes forcave politike.
Ditët e fundit, në komisionin parlamentar të ligjeve janë zhvilluar debate të forta lidhur me hapjen e dosjeve.
Deputetë të grupit Alibeaj kërkojnë hapje të plotë të tyre, propozim që është kundërshtuar ashpër nga mazhoranca.
Ndërkohë Partia e Lirisë deklaron përmes deputetëve të saj se autoriteti përdoret për të goditur kundërshtarët politikë.
Në nismat ligjore të PS kërkohet verifikim i të gjithë personave edhe pse kanë marrë certifikatën e pastërtisë si dhe verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre. Kjo nisëm u dorëzua nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.
Nga ana tjetër PS-ja përmes Klotilda Bushkës kërkon që ti jepet e drejta Autoritetit të Dosjeve të kryejë verifikimin e të gjithë personave që do të kandidojnë për institucionet kushtetuese, pavarësisht se më parë kanë marrë një certifikatë pastërtie nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.

