Pedagogët nesër protestë kombëtare: Nuk tutemi nga Rama
Sindikata e punonjësve të arsimit të lartë ka lajmëruar se nesër do të mbahet një protestë kombëtare.
Protesta do zhvillohet para Kampusit qendror të Universitetit Politeknik në orën 11.00.
Pedagogët kanë bërë thirrje që kauzës së tyre tu bashkohen edhe studentët.
“Protesta dhe bojkoti vazhdon. Nuk i tutemi fjalës së Ramës. Ftojmë gjithashtu edhe studentët, të japin mbështetjen me prezencën e tyre. Le të jemi nesër të gjithë bashkë në këtë hapësirë akademike. Vetëm qëndresa dhe uniteti ynë i përbashkët i shoqëruar me argumente të pakundërshtueshme të peticionit tonë, do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit tonë. Kjo kauzë nuk është vetëm në funksion të stafit akademik, stafit ndihmës akademik, administrativ dhe studentëve të Institutit të Arsimit të Lartë (IAL) publik por synon zgjimin dhe ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë shqiptare për shqetësime të tilla ekzistenciale.” tha Ardian Isufi në deklaratën e tij në emër të Sindikatës.
Ai përmendi edhe 5 përqindshin e GDP-së për Arsimin e Lartë, premtim ky i 8 viteve më parë, jo i mbajtur nga Kryeministri Rama dhe qeverisja e tij.
"Të mbajë premtimet e 8 viteve më parë. Të shohë ku është sot arsimi i financuar në komitetin europian, jemi në vend të fundit"
Pedagogët e quajtën "shantazh" deklaratën e djeshme të kryeministrit Edi Rama në takim me Rektorët e Universiteteve duke i paralajmëruar veting për pedagogët.
“Kryeministri ta bëjë vetingun që nga anëtarët e Sindikatës, ta nisë nga ne, pastaj të kalojë në plan të dytë veten e vet dhe gjithë qeveritarët e tjerë.”- tha një nga anëtarët e Sindikatës.
Ndërsa Kryetari i Sindikatës, Sandër Kovaçi iu përgjigj deklaratave të kryeministrit dhe e thërret të mos krijojë tymnajë.
“Dua të shtoj se nxjerrja e procesit të vetingut në këtë moment, tregon një frymë shantazhi të Kryeministrit ndaj drejtuesve të IAL publik.
Është komplet e pabesueshme kjo ide e tij në këtë moment. Ka patur mundësi 9 vite qeverisje deti më tani, ka patur mundësi pas grevës së studetëve që të bëjë një transparencë të drejtuesve të IAL-ve publike përsa i përkete vetingut.
Profesorati dhe gjithë të tjerët deklarojnë pranë tatimeve të gjitha të ardhurat, të mos krijojë tymnajë që profesorati këtu është i pasur pasi profesorati është shumë i varfër. Nga një shtresë e mesme është kthyer në shtresë të varfër aktualisht.”- shtoi kryetari i Sindikatës, Kovaçi.
Më 17 tetor 2022, nisi me bojkot viti akademik i Arsimit të Lartë. Në universitete nuk është bërë asnjë orë mësimi. Auditoret kanë qenë plot me studentë por pedagogët kanë bojkotuar duke kërkuar nga qeveria plotësimin e 9 kërkesave, njëra prej tyre dhe ajo e rritjes së pagës me 50%

