“Jeta pa busull orientimi”, Tushi: Të varfër prej reformave të ngadalta e iluzionit ekonomik

Sociologu Gëzim Tushi thotë se jemi një nga vendet më të varfra dhe kjo lidhet me dy arsye problemet me reformat e ngadalta dhe ndonjëherë jo të suksesshme të qeverive si dhe  me iluzionin e njerëzve për ekonominë e tregut.

Gjatë një interviste për Ora Neës me gazetarin Everest Dedaj, Tushi u shpreh se këto dhe kriza të tjera bashkëshoqëruese krijon në shoqëri një lloj kaosi të gjerë që merr karakter ekzistencial dhe e pengon njeriun të gjejë rrugën e duhur.

Gëzim Tushi: Jemi një nga vendet më të varfra të rajonit. Ka të bëjë me politikat shtetërore që janë ndjekur në këtë vend. E dyta është se ka pasur dhe një lloj çorjoditje të individëve, po të flasim për faktor psikosocial. Ka njerëz që kanë një lloj mentaliteti të ekzagjeruar përsa i përket mentalitetit të shtetit social apo për të zgjidhur problemet që ka individi. Kjo kontraditë, kjo situatë ekonomike ka këto dy faktorë, problemet me reformat e ngadalta dhe ndonjëherë jo të suksesshme të qeverive. Me reforma që nuk i kanë dhënë shpejtësi trenit ekonomik të Shqipërisë dhe së dyti me iluzionin e njerëzve që nuk kanë kuptuar që kalimi në ekonominë e tregut ka si element kalimin e barrës dhe të përgjegjësisë për mirëqenien e tij nga shpatullat e shtetit në shpatullat e individit.

“Krizat e tjera bashkëshoqëruese si kriminaliteti dhuna në familje, jeta pa busull orientimi janë shoqëruese dhe kjo krijon në shoqëri një lloj kaosi të gjerë që merr karakter ekzistencial dhe e pengon njeriun të gjejë rrugën e duhur e të dalë nga situate e varfërisë."