Arkitekti Maks Kola: Po tejkalohet masa e ndërtimeve në bregdet

Arkitekti dhe urbanisti Maks Kola i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Sonila Musai u shpreh gjatë këtyre 30 viteve ndërtimet kanë qenë të vazhdueshme dhe të pakontrrolluara.

Ndër të tjera Kola u shpreh: “Është një periudhë 30-vjeçare që ka qenë një proces i vazhdueshëm dhe i pakontrolluar sepse investitorët privat në përgjithësi kanë qenë më të fuqishëm se sa shteti. Ndonjëherë mendoj që kur nuk kishim plan rregullues urbanistik dhe thonim mezi presim që të kemi një plan rregullues të disiplinojmë ndërtimet në vazhdim duke ditur se një plan rregullues konsiderohet për ta kuptuar dhe publiku si një Kushtetutë.

Tani që në përgjithësi janë miratuar planet rregulluese nuk është se po shikojmë ndonjë ndryshim në cilësinë e urbanistikës, sigurisht cilësia në arkitekturë në ndërtim është më lart se sa ka qenë më përpara sepse çdo gjë e zënë me kohën është industria, materialet e ndërtimit që paraprijnë arkitekturës. Pra ka një farë komunikimi të ndërsjelltë.

Unë gjykoj që në shumë qytete të Shqipërisë, sidomos aty ku ka më shumë interesa, kryesisht në qendrat e banimit, në bregdet, unë mendoj që është tejkaluar masa e të ndërtuarit si në shtrirjen horizontale ashtu dhe në atë vertikale.”

Duke i’u referuar objekeve që ai ka projektuar Kola tha se nga 100% e veprave të tij 95% janë ndryshe nga projekti dhe kjo ndodh pasi arkitekti, por dhe konstruktori në momentin që merret leja e shfrytëzimit nuk merren më në konsideratë nga firma e tyre duke lënë hapësirë për abuzim.

Maks Kola: “Unë di që shumë shtete në Evropën Perëndimore e kanë me ligj. Grupi projektues, këtu edhe ka të drejtë me ligj që të kontrollojë objektin deri në fazën e kolaudimit. Deri në fazën që shkon për në Kadastër për hipotekim. Sot Shqipëria ka ligjin që është vetëm supervizori dhe drejtori i Urbanistikës në njësitë vendore që jep lejen e zhvillimit, pa patur parasysh që ky objekt është kontrolluar në procesin e ndërtimit edhe nga projektuesit.”

Të gjitha këto, sipas arkitektit, mund të shkaktojnë dhe pasoja në rast fatkeqësish, siç është dhe tërmetit tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019.