Rikthimi i vizave, Rama akuzon opozitën: Nongrata nuk ka shans të hiqet, vizat nuk ka gjasë të vihen
Kryeministri e gjen sërish fajin te opozita lidhur me lajmin se Çekia, e cila mban presidencen e Bashkimit Evropian, ka sugjeruar rikthimin e vizave për Shqipërinë e Serbinë.
"Të gjithë e dinë se kujt i është vënë viza në Shqipëri, askush mos çuditet si e qysh përhapet thashethemi se BE-ja do kthejë regjimin e vizave! Nongrata nuk ka shans të hiqet, vizat nuk ka gjasë të vihen dhe opozita e rublave sado të japë shpirt s’ka për të hequr dorë çorba e rublave" thotë ai.
Çekia vendi që mban dhe Presidenca e radhës të Bashkimit Evropian propozon ndalimin e udhëtimit pa viza të Shqipërisë dhe Serbisë për shkak të migrimit të parregullt.
Kërkesa e palës çeke vjen si pasojë e hyrjes së një numri të lartë emigrantësh duke përdorur Shqipërinë dhe Serbinë si portë hyrëse në Evropë.
Referuar qeverisë çeke, Shqipëria dhe Serbia nuk kanë arritur të përmbushin kriteret për të zbatuar një listë për heqjen e vizave me BE dhe seleksionimin e personave dhe pse këto dy vende gëzojnë lëvizjen e lirë.
Mirëpo mosfunksionimi dhe dështimi i autoriteteve për të parandaluar këtë dyndje ka shkaktuar rritjen e numrit të migrantëve të parregullt që hyjnë në BE përmes këtyre dy vendeve.
Agjencia evropiane SchengenVisaInfo.com shkruan se numri i shtetasve kubanë, indianë dhe turq që vijnë përmes këtyre dy vendeve për të kërkuar azil në Bashkimin Evropian është në rritje, ndaj çështja ka nxitur bisedimet për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.

