Lushnje/ 29 shtëpi e biznese u ndërtuan pa leje gjatë 2021 - 2022, 4 punonjës të bashkisë nën hetim

4 punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Lushnje janë vënë nën hetim pasi dyshohet se lejuan ndërtimin pa leje në 29 shtëpive dhe bizneseve.

Përtej kullave në Tiranë, objekte pa leje me bekimin e zyrtarëve lokalë janë zbuluar edhe në Lushnje.

Një hetim i nisur pas denoncimeve të qytetarëve zbuloi abuzime dhe ka ngritur dyshime për korrupsion në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit.

4 punonjës dhe ish-punonjës të këtij Inspektoriati nën varësi të Bashkisë, që detyrë kishin goditjen e paligjshmërisë, rezultoi se në fakt kanë lejuar ndërtimet pa leje.

Mbi bazë të provave të siguruara, prokuroria e Lushnjes ka ngritur akuzën “Shpërdorimi i detyrës" për I. B, Xh.Z, K.S dhe Gj.M.

Këta persona, gjatë viteve 2021 dhe 2022, duke shpërdoruar detyrën, dyshohet se kanë lejuar ndërtimin pa leje ose nuk kanë ndëshkuar ndërtuesit për 29 objekte në territorin e bashkisë Lushnje.

Sipas policisë objektet pa leje, kryesisht janë banesa dhe biznese.

Gjykata e Lushnjes ka caktuar për ish zyrtarët masat “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik“dhe “Detyrimi për t’u paraqitur“ deri në përfundim të hetimit.

Policia dhe Prokuroria e Lushnjes ndërkohë po vijojnë hetimet për të të zbuluar ndërtime të tjera abuzive dhe zyrtarë lokalë që mund të kënë lejuar ngritjen e tyre në shkelje të ligjit.