"Nuk jeton dot or mik! Ka për të na ngrënë arusha!" Fshati në ditë të vështira

Fermerët dhe bujqit në vendin tonë kanë denoncuar herë pas herë problemet që po hasin në fshat. Në Klos ata thonë se nuk po punojnë më tokat, ndërsa shprehen se ka pasur mungesë të mbështetjes nga ana e qeverisë, dhe situatën e ka rënduar dhe më shumë rritja e çmimeve.

Në zonat rurale çdo ditë e më shumë, toka bujqësore po punohet më pak.

Kapllan Dardha nga fshati Fullqet i Bashkisë Klos tregon se dikur ka kultivuar disa lloje frutash, por teksa ka parë që prodhimi nuk i shitej, ai i ka prerë.

Sipas tij, bujqësia pa ndihmën e shtetit qoftë me subvencione apo sigurim tregu shitje, është e falimentuar pasi fermeri nuk fiton asgjë.

Situata është vështirësuar vitet e fundit akoma më shumë me rritjen e çmimeve të punimit të tokës, të farërave, plehrave kimike etj.

Kapllan Dardha: Jam marrë me bujqësi e blegtori por nuk ia vlen. Nuk jeton dot. Pa përkrahjen e shtetit bujqësia ka mbaruar or mik. Dhe ato subvencione kushedikush i merr.

Kapllan Dardha, banor i Fshatit Fullqet: Plehrat kimike janë katërfishuar. Farërat po ashtu. Fshatari është në vështirësi.

Nga ana tjetër, ikjet masive nga fshati kanë bërë që të ketë mungesë edhe në krahun e punës.

Kapllan Dardha: Kemi ngelur ne pleqt. Ka për të na ngrënë arusha dhe për të mbuluar ferrat.

Fermerët në të gjithë vendin kanë shprehur shqetësimin sa u përket produkteve të tyre, pasi ata jo vetëm që nuk po gjejnë treg por edhe mungon ndihma e qeverisë.