"Të harruar" 500 metra larg Lezhës
Banorët e fshatit Lalm i Ri në Lezhë denoncojnë se vuajnë mungesën e investimeve në infrastrukturë, ndaj paralajmërojnë ndëshkim me votë për premtimet e pambajtura elektorale.
Rruga është e dëmtuar dhe në kohë me shi, gropat shndërrohen në pellgje me ujë.
Pluhuri në verë e balta në dimër, shoqëron këmbësorët. Kjo është situata në një pjesë të fshatit Lalm i Ri të njësisë Administrative të Kolshit në Lezhë.
Kanalet e përrejtë janë shndërruar në vendgrumbullime mbetjesh urbane.
Banorët thonë se në 3 dekada demokraci, kanë marrë shumë premtime nga deputetë e kryebashkiakë që u kanë marrë votën, por asgjë ska ndryshuar.
“Njëri thotë jep lekët, tjetri thotë të bëj udhën. Bashkia është copë-copë dhe nuk meret me ne. Gjithmonë kështu kemi qenë,” thonë banorët.
Ndaj në prag të zgjedhjeve të radhës vendore, banorët e Lalmit paralajmërojnë se do ti ndëshkojnë.
"Nuk voton kush më në Lalm të Ri, po nuk u rregullua rruga,” tha një banore.
Problemet me infrastrukturën i vuajnë edhe fshatra të tjera të Bashkisë së Lezhës.
