Drogë me avion nga Rinasi në Turqi, policia shqiptare shkëmben informacionet për dy shtetas turq
Autoritetet turke dhe ato shqiptare janë duke hetuar trafikun e lëndëve narkotike përmes aeroportit të Rinasit.
Kanë qenë homologët turq që kanë informuar fillimisht mbi skemën sapo kanë arrestuar dy shtetas turq.
Sipas deklaratës zyrtare, agjentët e Ankarasë kanë vendosur në analizën e riskut dy pasagjerë të nisur nga Rinasi dhe më pas dogana e tyre ka shenjuar lëvizjet me rreze X si dhe i kanë mbajtur nën mbikqyrje.
Sapo kanë mbërritur në aeroportin "Sabiha Gökçen" në Stamboll atyre ju zbulua dhe sekuestrua 31 kilogram e 461 gramë kanabis.
Kanë qenë qentë e narkotikëve ata që i kanë drejtuar agjentët drejt drogës.
Ende nuk dihet nëse dy shtetasit turq kanë lidhje me dy shqiptarët, një efektiv i policisë Rrugore dhe një ish-ushtarak, të kapur pak ditë më parë me lëndë narkotike.
Menjëherë pas kësaj janë informuar autoritetet në Tiranë për të nisur një hetim më të thelluar.
Policia shqiptare thotë se janë marrë masa konkrete për të kordinuar punën me autoritetin doganor dhe TIA, në drejtim të kontrollit të përbashkët, me qëllim parandalimin e trafiqeve të paligjshme nga aeroporti i Rinasit.
Por ende nuk dihet si ka kaluar kanabisi nga agjentët e kontrollit në pikën e Rinasit.

