PS ndez motorrët e fushatës/ PD në kërkim të vulës, socialistët në terren

E majta e Edi Ramës synon të fitojë sërish bashkitë por në këto zgjidhje do t’i nevojitet më shumë energji edhe fushatë, pasi ndryshe nga 2019 që ishte e vetme në garë, në 2023 përballë do të ketë një opozitë të bashkuar. Për këtë arsye kryesocialisti ka shpërndarë në të gjithë territorin, drejtuesit politik për të skanuar problematikat e socialistëve dhe për të gjetur pikat e dobëta të opozitës.

Teksa Partia Demokratike është në kërkim të vulës, Partia Socialite ka ndezur motorrët për zgjedhjet e ardshme vendore. Kryesocialisti Edi Rama nuk ka pritur që Presidenti i Republikës të dekretojë datën e lokaleve, për t’ju dhënë porositë e nevojshme drejtuesve të tyre politik.

Orët e para të mëngjesit të së hënës Edi Ramën e kanë gjetur në zyren e tij të selisë rozë, pasi para se të takonte anëtarët e kryesisë ka përshëndetur breshkat e tij.

Socilaistët kanë marrë direktiva që në këtë fushatë angazhimi i tyre në fushatë të mos jetë i ngjashëm me hapat e breshkave, por të zbresin në terren për të kolauduar strukturat elektorale dhe për të skanuar problematikat në funksion të fushatës elektorale.

Në analizën e drejtuesve politike do të jetë edhe puna e deritanishme e kryebashkiakëve socialistë për të evidentuar punëtorët dhe ata që nuk do të kenë më mundësi të hyjnë në garë nën siglën e Partisë Socialiste.

"Drejt një fitoreje të re, atë të zgjedhjeve vendore, me dialogun, me komunitetet në të gjithë Shqipërinë," tha Rama.

Fushata e socialistëve do të jetë e përqëndruar në përmirësimin e vetvetes dhe në goditjen e kundërshtarit të saj politik, opozitën.

"Kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota, dhe nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave," tha ai.

Kryesocialisti Edi Rama nuk do të mjaftohet vetëm me të dërguarit e tij në zonat zgjedhore, por nga e marta nis turin për të parë vetë më nga afër situatën në çdo bashki të vendit.