Kuotat bosh dhe pedagogët në bojkot/ Universitetet e rretheve më pak studentë, disa mësim e disa protestë
Viti i ri akademik nisi me më pak studentë dhe një pjesë të pedagogëve në bojkot për rritjen e pagave në të gjitha universitetet e rretheve
Universitetet e rretheve nisën vitin e ri akademik me rënie të numrit të studentëve, degë që rrezikojnë të mbyllen dhe një pjesë të pedagogëve në protestë për rritjen e pagave.
Me vetëm 320 studentë të regjistruar ciklin Bachelor dhe degën e Matematikë Fizikës të mbyllur, Pedagogët e Universitetit Eqerem Çabej në Gjirokastër thanë alarmin.
Më pas pedagogët pjesë e sindikatës nisën bojkotin, duke paralajmëruar protesta të përditshme nga ora 10 deri në 1200.
Rreth 1000 studentë më pak përllogariten në Universitetin e Elbasanit, ku nga 2573 kuota janë plotësuar vetëm 1435.
Por për të nisur procesin mësimor do të duhet të presin pasi edhe pedagogët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” i janë bashkuar protestës.
"Me pak rini, kemi më pak shprese, kemi më shumë studentë që i drejtohen universiteteve të huaja," tha pedagogu.
Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës janë regjistruar 950 studentë, ndërsa në total janë rreth 5 mijë në të gjitha nivelet. Këtë vit asnjë program nuk është mbyllur.
Edhe në kryeqendrën e Veriut një pjesë e pedagogëve janë në protestë, ndërsa Rektorja Suzana Golemi duke shprehur mbështetje, tha se askush nuk do të ndëshkohet!
"Apsolutisht e mbështesim fuqishëm këtë si masë, apsolutisht," tha rektorja.
Me bojkot, viti akademik nisi edhe në Universitetin e Durrësit, ku këtë vit janë regjistruar 1700 studentë të rinj.
Kërkesat për rritjen e pagave e mbështesin të gjithë pedagogët, por në Universitetin e Vlorës dhe Korçës, procesi mësimor nisi normalisht pa bojkot e protest.
"Ne do të fillojmë mësimin ,sidomos me studentë të viteve të para","Në konferecë të rektorëve ku do të shohim se si do shkojnë në lidhje me kërkesat që ka bër sindikata," thanë pedagoget.
Të dhënat ende nuk janë zyrtare, por degë të shkencave si Matematika, Fizika, Kimia dhe Mësuesia në pjesën më të madhe të Universiteteve në rrethe janë në rrezik të mbyllen.
