Prodhim po, shitje jo/ Panairi i të vjelave në Dibër, fermerët: S’kemi treg
Mes frikës dhe shqetësimeve të fermerëve për mungesën e shitjes së produkteve të tyre, për shkak të mungesës së tregut, në Dibër u mbajt edhe këtë vit, Panairi i të vjelave.
Për të 18-in vit me radhë, në Peshkopi është mbajtur panairi i të vjelave.
Fermerë nga e gjithë Dibra prezantuan prodhimet e tyre.
Për dy ditë rresht në bulevardin kryesor të qytetit të Peshkopisë dominonin produkte bujqësore nga më të larmishmet, nga gatimet tradicionale të kulinarisë e shumë e shumë produkte të stinës.
Por edhe në këtë panair, fermerët shprehën pakënaqësitë e tyre.
Ata thanë se prodhimet po u shkojnë dëm, pasi nuk ka as treg e as njerëz për t’I blerë ato.
“Prodhim kemi pasur boll. Tregu me vështirësi, shumë i dobët.”
“Nuk ka treg nuk ble askush.”
Thonë se shteti duhet të marrë masa për të favorizuar prodhimet vendase.
“Vjen mall nga jashtë, duhet ta ulë traun qeveria , jo të ngelet malli të hidhet nëpër kanale.”
“Nuk ka shtet shteti në nivelet zero.”
Veç panairit atje u mbajtën edhe aktivitete të ndryshme kulturore për të promovuar Dibrën, si destinacion turistik.
