Dollari në kuotat maksimale, Joe Biden kritikon planin ekonomik të kryeministres britanike Truss
Dollari amerikan është në kuotat maksimale krahasuar me monedhat e tjera, por presidenti amerikan shqetësohet për nivelin e lartë të inflacionit. Ai kishte edhe një koment për paketën ekonomike britanike, ku tha se nuk i dukej e duhura.
Presidenti amerikan ka kritikuar planin ekonomik të kryeministres britanike Liz Truss për përballimin e krizës së luftës në Ukrainë dhe efektet e pandemisë.
Paketa ekonomike e shefes së kabinetit britanik solli luhatje të monedhës paund kundrejt monedhave të tjera, duke sjellë edhe ndërhyrjen e Bankës së Anglisë për të stabilizuar monedhën.
Më herët, të premte, Truss shkarkoi ministrin e saj të financave Kwasi Kwarteng.
Presidenti amerikan Biden tha përpara gazetarëve se mendonte se ishte gabim ai plan ekonomik, edhe pse Shtëpia e Bardhë kishte refuzuar më parë të komentonte mbi planin Truss, i cili fillimisht parashikonte heqjen e normës së tatimit mbi një fashë të ardhurash.
"Nuk isha i vetmi që mendova se ishte një gabim," u tha Biden gazetarëve të shtunën.
“Mendoj se ideja e uljes së taksave për super të pasurit në një kohë kur – gjithsesi, thjesht mendoj – nuk u pajtova me këtë politikë, por i takon Britanisë së Madhe ta vendosë, jo unë.”, tha shefi i Dhomës Ovale.
Më herët, ministri i ri i financave, Jeremy Hunt, tha se disa nga taksat e vendit do të rriteshin dhe nevojiteshin vendime të forta për shpenzimet.
Inflacioni i lartë po prek edhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet të tjera në mbarë botën, duke krijuar stres për Bidenin përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.
Ndërkohë, dollari amerikan është rritur kundrejt monedhave të tjera. “Nuk jam i shqetësuar për fuqinë e dollarit. Jam i shqetësuar për pjesën tjetër të botës,” tha Biden.
