Paratë në puseta, Erion Veliaj jep 294 mijë euro tender pa garë
Një tjetër tender pa garë është hapur nga bashkia e Tiranës, këtë herë për blerjen e kapakëve të pusetave. Janë 294 mijë euro shtesë që do të japin taksapaguesit e Tiranës, ndërkohë që nismat e mëparshme të Veliajt për mbrojtjen nga vjedhja të kapakëve të pusetave nuk kanë funksionuar.
Erion Veliaj dështon sërish ne gjetjen e një zgjidhjeje për vjedhjen e kapakëve të pusetave.
Bashkia e Tiranës hap tenderin 344 milionë lekësh pa garë për blerje e kapakëve të pusetave.
Edhe pse në 2017-ën, Erion Veliaj, deklaronte se ishte treguar inteligjent me zgjidhjen që i kishte dhënë vjedhjes së kapakëve të pusetave, duke i zëvendësuar nga metalik në plastik-beton, duket se nisma ka dështuar.
Zgjidhja inteligjente e kryebashkiakut të Tiranës nuk ka mundur të ndalë shpenzimin e taksave të qytetarëve për të blerë sërish kapak pusetash.
Kjo pasi Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të Ndriçimit Publik, e cila varet nga Bashkia e Tiranës, do të shpenzojë 344 milionë lekë ose rreth 294 mijë euro pikërisht për të blerë kapak pusetash.
Sipas dokumenteve, bëhet e ditur se prokurimi është hartuar nga nevoja për kapakë pusetash ku parashikohen të blihen edhe metalike.
Kjo tregon se vjedhja e tyre është akoma prezente dhe se nisma e krebashkiakut për zëvendësimin e plotë nuk ka funksionuar.
Përpos kësaj, në tender kanë konkurruar dy kompani, “Power Industries” dhe “Sahora” dhe kjo e fundit është skualifikuar nga gara, ndërsa procedura është zhvilluar pa garë.
Kompania fituese që do të blejë për 12 muaj kapak pusetash, ka kërkuar sa 95% të fondit limit për të kryer punën.
Natyrisht kur vjen puna tek shpenzimet e fryra, kryebashkiaku Veliaj është dorëlëshuar.
Enigma kësaj radhe është se çfarë do ketë ndodhur me zgjidhjen e ofruar prej tij para 5 vitesh për kapakët e pusetave që nuk po ndal rrjedhjen e milionave të taksapaguesve për këtë problematikë?
