Tekstilet dhe lëkura në krizë, humbje nga rritja e çmimit të energjisë e kursi i këmbimit
Rritja çmimit të energjisë dhe luhatja e kursit të këmbimit kanë vënë në vështirësi sektorin e fasonerisë në vend. Kreu i shoqatës pro-export, Edvin Prençe thekson se mungesa e impianteve përpunuese fragmentarizon prodhimin dhe indirekt favorizon produktet e huaja duke i bërë ato më konkurruese se prodhimet made in albania.
Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve po përballet me vështirësi si pasojë e rritjes së çmimeve dhe luhatjeve në kursin e këmbimit. Kreu i shoqatës Proexport Edvin Prençe thotë se situata po përkeqësohet.
“Ka mungesë likuiditeti, makineri prodhuese të amortizuara, mungesa e punëtorisë, janë 25 mijë vende të lira pune, nëse do të kishim fuqi punëtore, këto vende do të ziheshin brenda ditës. Problem tjetër kursi i këmbimit, kemi kontrata afatgjata dhe kur kursi i këmbimit ka luhatje, shkakton dëme financiare”.
Një problematikë tjetër është lënda e parë që nuk prodhohet në Shqipëri për shkak të mungesës së impianteve përpunuese.
“Eksportojmë lëkura të gjalla me vlerë 30 mln euro në vit, sepse nuk kemi impiante përpunuese. Ne importojmë 340 mln euro. Disbalancat janë prezente dhe në veshmbathje. Aktualisht në vendin tonë eksportohet prodhim shqiptar rreth 40 mln në vit veshmbathje dhe importojmë rreth 4 mln veshmbathje."
Sipas Prençes kjo vjen për shkak se shteti nuk mbron prodhimin vendas, duke favorizuar prodhimin e huaj.
