Bizneset po mbyllen, kreu i Dhomës së Tregtisë: Shkak, kriza dhe mungesa e punonjësve

Në Qarkun e Fierit janë mbyllur dhjetëra biznese, sipas kreut të Dhomës së Biznesit atje. Ekspertët vlerësojnë se situata është alarmante, ndërsa veç krizës ekonomike, një tjetër shkak është edhe mungesa e punonjësve të kualifikuar, pasi këta të fundit zgjedhin emigrimin.

Pandemia e koronavirusit, lufta, kriza energjitike dhe kriza ekonomike po sjellin pasoja të qarta tek biznesi.

Në Fier binzeset e vogla prej muajsh kanë nisur largimin nga puna të stafeve, deri në mbylljen e aktiviteteve.

"Sot aktualisht në Fier është duke u reduktuar numri i bizneseve nga dita në ditë dhe kjo është një fatkeqësi për këtë qark. Po të kalosh në qytetin tonë, në çdo ambjent sheh që kërkojnë punëtorë, njoftime për dhënie me qira biznesi apo ambjente të mbyllura se nuk ka fuqi punëtore. Këto janë simptomat e para të një regresi sa i takon bizneseve në Fier."

Për kreun e Dhomës së Tregtisë në Fier, Shezai Çobo, shkak kryesor i mbylljes së bizneseve është edhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar, pasi ata që kualifikohen zgjedhin të ikin nga Shqipëria.

"Arsyeja e parë është fuqia punëtore. Ka pak njerëz të kualifikuar, ata që janë të kualifikuar marrin rrugën drejt Gjermanisë për një jetë më të mirë dhe rrogë më të mirë. Kjo hemoragji po e dëmton mjaft biznesin e qarkut të Fierit."

Sipas INSTAT, në vitin 2020 Fieri renditej i qyteti i dytë në vend për fuqinë ekonomike të subjekteve të biznesit me 13.380 biznese bujqësore dhe 8300 biznese në sektorë të ndryshëm.