Masakër në Meksikë, breshëri armësh në lokal, 12 të vrarë, luftë bandash droge

Brenda këtij muaji, Meksika është tronditur dy herë nga ngjarje të dhunshme me dhjetëra të vdekur. Këtë radhë ka qenë një masakër në një lokal që la pas 12 të vdekur dhe dyshohet luftë mes bandave të drogës. Presidenti Obrador ka futur ushtrinë për të ruajtur sigurinë.

Një masakër ka ndodhur këtë fundjavë në Meksikë duke lënë 12 të vdekur në një lokal.

Autoritetet njoftojnë se persona të armatosur të paidentifikuar kanë hapur zjarr në një lokal në qytetin Irapuato duke vrarë 12 persona, përfshirë gjashtë gra.

Situata është e rënduar në Meksikë për shkak të luftës së bandave ku, në shtetin Guanajuato, kjo është masakra e dytë në më pak se një muaj.

Motivi i të shtënave nuk është i qartë, por dyshimet kryesore janë për hakmarrje mes bandave të drogës.

Guanajuato është qendër e madhe për shumë nga prodhuesit kryesorë të makinave në botë. Më herët, më 21 shtator, persona të armatosur qëlluan për vdekje 10 persona po në një sulm në një lokal.

Në fillim të tetorit, persona të armatosur, të dyshuar të lidhur me një bandë droge vranë 20 njerëz , duke përfshirë një kryetar bashkie.

Kjo situatë ka sjellë shqetësim të shtuar te qytetarët dhe autoritetet qendrore meksikane.

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador mori detyrën në fund të vitit 2018, duke u zotuar të reduktojë nivelet e larta të dhunës së bandave në Meksikë, ndërsa ka future ushtrinë për të ruajtur rendin.

Kjo masë e Obradorit është kritikuar nga shoqëria civile dhe grupet e të drejtave të njeriut.