Tekstilet në krizë, humbje nga rritja e çmimit të energjisë e kursi i këmbimit
Rritja çmimit të energjisë dhe luhatja e kursit të këmbimit kanë vënë në vështirësi sektorin e fasonerisë në vend. Kreu i Shoqatës Proexport, Edvin Prençe, thekson se mungesa e impianteve përpunuese fragmentarizon prodhimin dhe indirekt favorizon produktet e huaja duke i bërë ato më konkuruese se prodhimet made in Albania.
Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve po përballet me vështirësi si pasojë e rritjes së çmimeve dhe luhatjeve në kursin e këmbimit.
Kreu i Shoqatës për Eksportet, Edvin Prençe, thotë se situata po përkeqësohet.
"Një nga problematikat kryesore është mungesa e likujditetit.Duke pasur parasysh që vijmë nga periudha e pandemisë, bizneset kanë ezauruar të gjithë rezervat e tyre patjetër që biznesi ka nevojë për likujditet për modernizimin dhe automatizimin e makinerive prodhuese pasi janë të amortizuara. Së dyti mungesa e punëtorisë. Janë mbi 25 mijë vende të të lira pune që po ti kishim do ishin përthithur brenda ditës."
Problematika tjetër është lënda e parë që nuk prodhohet në Shqipëri për shkak të mungesës së impianteve përpunuese.
"Jemi i vetmi shtet në botë që eksportojmë lëkura të gjalla me vlerë 30 mln euro në vit sepse nuk kemi impante përpunuese për ta kthyer lëkurën e gjallë në lëkurë që të përdoret për këpucët. Dhe jemi po ai vend që importojmë po të njëjtën lëkurë në vlerën 340 mln euro."
Sipas Prençes, kjo vjen për shkak se shteti nuk mbron prodhimin vendas duke favorizuar prodhimin e huaj.
