Kriza ekonomike prek edhe tregun e automjeteve, Shqipëria mbushet me makina të përdorura
Shqiptarët e kanë të pamundur për të blerë makina të reja nga koncensionarët dhe zgjidhjen për pajisjen me një automjet, e shikojnë tek tregjet e makinave të përdorura. Kjo faktohet edhe nga raporti i fundit i Institutit të Statistikave, i cili raporton se janë mbi 64 mijë automjete të përdorura që janë regjistruar përgjatë vitit që lamë pas.
Nga viti në vit, në Shqipëri po regjistrohen më shumë automjete, ndërsa shumica prej tyre janë në moshë të madhe prodhimi. Referuar të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 janë regjistruar 740.669 mjete, nga 676.811 të tilla në 2020, duke shënuar një rritje me 9.4%.
Në të njëjtat të dhëna, autoveturat e përdorura zënë përqindjen më të madhe të automjeteve në rrugë, ku arrijnë 80%, e vijuar me mjete të kategorive të ndryshme me 6,7% dhe në fund motorët me 5.1%.
Kryeqyteti ka numrin më të lartë të regjistruar të mjeteve rrugore për vitin 2021, duke zënë 35% ndaj mjeteve rrugore të regjistruara në vend. Ndërsa në Shqipëri, në total janë regjistruar për herë të parë, afro 64 mijë automjete përgjatë një viti.
Ajo që vihet re është se shqiptarët vijojnë të preferojnë më shumë automjetet me naftë.
Numri më i madh i autoveturave që qarkullojnë në vendin tonë deri në Dhjetor të vitit 2021, përdorin lëndë djegëse “Naftë”, duke zënë 73,6 %, nga 73,5 % deri në Dhjetor të vitit 2020, ndjekur nga autoveturat që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” me 17,3 % ndaj numrit gjithsej të autoveturave nga 18,2 % që ky grup zinte deri në vitin 2020.
Numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “Naftë” në vitin 2021, është rritur me 10,1 %, në krahasim me vitin 2020. Numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” është rritur me 4,1 %, krahasuar me vitin 2020.
