Zona e ish-kënetës në Durrës pa investime, kanali rrezikon banorët

Dhjetëra familje në zonën e ish-kënetës në Durrës shprehen të shqetësuara në lidhje me  mungesën e investimeve në zonën e tyre. Ata thonë se një kanal që kalon mes për mes lagjes është kthyer jo vetëm në ndotës të madh, por edhe në rrezik serioz për ta.

Këto pamje vijnë nga zona e ish-kënetës në Durrës.

Kanali që kalon mes për mes lagjes ku jetojnë qindra banorë për këto të fundit është kthyer në një shqetësim serioz.

Thonë se infeksionet dhe sëmundjet janë rrezik për ta dhe fëmijët.

“Ka rrezik dhe sëmundje për fëmijët ,ka aroma të këqija . Ju e shihni dhe vetë”, shprehet një banore.

Disa investime të nisura në lagje, jo vetëm që nuk dihet kur do të përfundojnë, por banorët thonë se nuk kanë asnjë informacion për to.

 “Po shqetësimet  tona janë, por me thënë të drejtën nuk dimë asgjë, nuk jam fare në dijeni për këtë punë sepse punët janë ndërprerë”, tha një tjetër banore.

Përmes banorëve të zonës dhe Organizatave të Shoqërisë Civile çështja e lagjes së ish kënetës përfundoi tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili me vendimin numër 61, të 13 prillit 2021 vendosi, “Konstatimin e diskriminimit të banorëve të zonës së ish-Kënetës, në rrugën “Gjelbërimi” dhe rrugën “Azem Hajdari” për shkak të vendbanimit, nga ana e bashkisë Durrës”.