Rama: Shtëpia e Verdhë fantazi, por u votua në KiE, Hashim Thaçi si Josef K. i gjallë i Kafkës

Nga Strasburgu, kryeministri Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës tha se hetuesit për Shtëpinë e Verdhë nuk kanë pasur lidhje direkte me burimet e tyre.

Ai u shpreh se gjetjet ishin fantazi që do t’i kishin zili edhe shkrimtarë botërorë dhe shtoi se pavarësisht kësaj, raporti u votua në Këshillin e Evropës.

Rama: Nuk është për të qeshur se hetuesit kanë pranuar se nuk kishin lidhje direkte me burimet e tyre. Po nuk është për të qeshur që pranohet në footnota që do të kishin bërë xhelozë Kafkën dhe Dostojevskit për të hyrë në terrenet e fantazisë njerëzore. Aty thuhet se disa nga akuzat nuk mund të mbështeteshin, por ato mbetet aty. Nuk është për të qeshur se hetuesit kishin mungesë burime financiare. Të gjithë procesit specialistë dhe diplomatë bënë thirrje për kujdes dhe vetëpërmbajtje. Nuk është për të qeshur që Kurshner që është edhe mjek, i dërguar i posaçëm, theksonte në mënyrë të qartë “Mjaft me këtë”.

E me gjithë këto shtëpia e verdhë fantazmë erdhi deri këtu për të marrë edhe seancë votimi në këtë sallë. Në këtë sallë të shtëpisë së Evropës. Kjo e gjitha bëri që të krijoheshin dhomat e specializuara të Kosovës që dërguan në arrestimin e 4 udhëheqësve të UÇK-së. Presidenti Thaçi u arrestua si personazhi Josef K në “Procesin” e Kafkës. Ai dha dorëheqjen dhe është ende atje. Një Josef K i gjallë nga një lajm i rremë që u përhap si një murtajë në politikën ndërkombëtare.

Shqipëria i kërkoi sot (12 tetor 2022) Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që të rishqyrtojë rezolutën e mbështetur në raportin e të dërguarit Dick Marty, sipas saj të pabazuar dhe të paprovuar, ku shprehen pretendime se ish drejtues të UÇK-së të jenë përfshirë gjatë luftës së vitit 1999 në trafikim organesh njerëzore, i shtrirë edhe në Shqipëri.

Raporti i të dërguarit Dikc Marty ishte pikënisja, që çoi në ngritjen e Gjykates së Posaçme për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë dhe nisjen e një procesi, që vuri nën akuzë disa nga ish drejtuesit më të lartë politik në Kosovë.