"Mori rryshfet 2000 € për lehtësim mase sigurie", Apeli rikthen në burg ish-prokurorin Edmond Karriqi
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rikthyer në burg ish-prokurorin e Kukësit Edmond Karriqi, i cili është dënuar nga Shkalla e Parë për korrupsion.
GJKKO kishte pezulluar dënimin e tij me burg duke e vendosur në shërbim prove. Me gjykim të shkurtuar Karriqi ishte dënuar me 2 vite e 6 muaj heqje lirie nga 3 vite e 4 muaj.
Ish-prokurori u arrestua më 30 qershor të vitit 2021 në Kavajë me urdhër të SPAK.
Përmes përgjimeve, Prokuroria e Posaçme arriti të provojë se Karriqi ka marrë 2000 euro ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një të pandehur, i dënuar për drogë.
Bashkë me të u arrestua dhe shoferi i tij që bënte rolin e sekserit.
Deri në vitin 2019, Edmond Karriqi ka qenë prokuror pranë Prokurorisë së Kavajës, më pas ai është emëruar në Lushnje si prokuror.
Ndërsa, më pas ai u transferua në Kukës ku u komandua drejtues nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Në seancën e kësaj të marte në Apelin e Posaçëm, vetë Karriqi nuk ishte i pranishëm.