Sulmet kibernetike/ Kërkohet sekuestrimi i adresave të “JusticeHomeland1" në Hong Kong, Britaninë e Madhe e Rusi

Shqipëria ka kërkuar nga Britania e Madhe, Rusia dhe Kina, që të ndalojnë publikimin e materialeve të vjedhura nga autorët e sulmit kibernetik që goditi vendin në korrik të këtij viti. Sipas hetimeve, shpërndarja e materialeve të vjedhura po bëhet nga faqe dhe profile në rrjetet sociale me vendndodhje në këto tri shtete. Krahas bllokimit të publikimeve, prokuroria kërkon sekuestrimin e pajisjeve të hakerave dhe dërgimin e tyre në tiranë në cilësinë e provave materiale për hetimin e çështjes. 

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot sekuestrimin e të dhënave dhe faqeve online të "Homeland Justice" në Britani, Hong Kong dhe Rusi.

Në njoftim theksohet se publikimi i të dhënave të hakuara dhe të kopjuara nga sulmi kibernetik ndaj sistemeve kompjuterike të AKSHI-it si dhe sistemeve kompjuterike të Ministrisë së Brendshme, kryhet nga faqja online  “HomelandJustice”  si dhe nga profili në rrjetin social “Telegram” me emërtimin “JusticeHomeland1”.

Sipas prokurorisë, nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këto faqe kanë IP në Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi. 

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Pas evidentimit të këtij fakti, më 4 tetor 2022, prokuroria shqiptare mbështetur në Konventën “Për ndihmë të ndërsjelltë juridike në çështjet penale” iu drejtua gjykatës me miratimin e letërporosive drejtuar autoriteteve të Britanisë së Madhe, Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës. 

Prokuroria ka deklaruar se nga faqja e grupit të hakerimit Homeland Justice janë publikuar të dhëna të AKSH-it dhe Ministrisë së Brendshme.

Faqet që është kërkuar të sekuestrohen janë:

1. Telegram Headquraters ……London United Kingdom;

2. “HomelandJustice”  në Hong Kong;

3. “JusticeHomeland1” në Rusi.

Prokuroria shqiptare kërkon që të dhënat e sekuestruara në këto tri shtete ti dërgohen në Tiranë. Sipas hetimit sulmet ndaj AKSHIT dhe ndaj policisë së shtetit janë të lidhura dhe kanë ardhur nga i njëjti burim.

Në sistemet ku ka ndodhur sulmi është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që i përkiste autorëve të këtij sulmi. 

Si pasojë e bllokimit të profilit të parë në dy rrjetet sociale autorët e sulmit kibernetik hapën një faqe tjetër e cila u përdor për të shpërndarë mesazhe të ndryshme në lidhje me sulmin e kryer apo publikimin e të dhënave që janë vjedhur.

Bëhet fjalë pikërisht për llogaritë nga aplikacionet e komunikimeve në internet si Telegram etj, ku po postohen dokumente të Policisë së Shtetit të cilat sipas akuzës, përbëjnë sekret hetimor.

"Hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe janë në vijim duke garantuar se prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe pengimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie e cila ka qëllim të cënojë gjithë veprimtarinë e organeve shtetërore të Republikës së Shqipërisë, paqen sociale dhe bashkëjetesën mes individëve," thuhet ne dokument.