Arens Çela, kryeprokurori i Tiranës edhe për 3 vite. E emëron KLP
Arens Çela do të jetë Kryeprokurori i Tiranës edhe për tri vitet e ardhshme.
Ditën e sotme (11 tetor) Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi me votim emërimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Kryeqytetit.
Ky institucion është drejtuar deri tani po nga Prokurori Arens Çela i cili ka qenë i komanduar nga data 28 Prill 2022.
Sipas njoftimit të KLP, emri i Arens Çelës u propozua nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës dhe u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Arens Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua Prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, ai ka drejtuar Prokurorinë e Beratit dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në Janar 2020, u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si ndihmës-magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme. Arens Çela kaloi vetingun dhe u konfirmua në detyrë më 23 Mars 2021.
