Presidenti Begaj mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, hakerat s'ndalen, publikojnë të dhënat e të gjithë policëve

Presidenti Bajram Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kërkoi raportim nga drejtuesit e institucioneve më të rëndësishmë në vend për t’u njohur sesa janë prekur nga sulmet kibernetike dhe masat e marrë për të shmangur agresione të tjera. Në këtë takim Kreu i Shtetit thirri edhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë si dhe drejtuesin e AKSHI-t e cila në korrik ra pre e hakerave iranianë.

Katër muaj pas sulmit ndaj portaleve qeveritare dhe 30 ditë pas agresionit ndaj sistemit TIMS, Kreu i Shtetit mblodhi sot (10 tetor 2022) në zyrën e tij Këshillin e Sigurisë Kombëtare. I shqetësuar nga hackerimi dhe publikimi i dokumentave shtetërore, Presidenti ka kërkuar nga drejtuesit e instirucioneve të mësojë më shumë për situatën kritike me të cilën po përballen dhe masat që kanë ndërmarrë për të shmangur sulme të tjera.

"Gjatë diskutimeve u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare" thuhej në një deklaratë të presidencës.

Takimi me dyer të mbyllura nisi 30 minuta me vonësë për shkak të pritjes së kryeministrit Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla të cilët ndodheshin në aktivitetin e 50 vjetorit të Akademisë së Shkencave.

Përveç 14 anëtarëve të Këshillit të Sigurisë që përfshin Presidnetin, Kreun e qeverisë, kryeparlamentare, kreun e SHISH, Kryeprokurorin, Drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e komisionit të Sigurisë dhe drejtuesit e 7 kabineteve ministrre, Bajram Begaj kishte ftuar edhe Guvernatorin e BSH Gent Sejko dhe drejtoreshen e AKSH-it Linda Karçani.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Me 15 korrik hackerat iranian sulmuan portalin qeveritar E-Albania, i cili u bë i paaksesueshëm për të marrë shërbimet online nga qytetarët. Ndërsa me 10 shtator ata morën nën kontroll sistemin TIMS, i cili ka të dhënë për hyrje-daljet nga territori i Shqipërisë. Agresioni nuk është ndalur vetëm me kaq, por ata kanë publikuar të dhëna sensitive nga policia e shtetit.