Alqi Bllako të rikthehet në qeli, SPAK ankimon vendimin

SPAK ankimon vendimin e ndryshimit të masës së sigurisë ndaj ish deputetit socialist Alqi Bllako dhe kërkon rikthimin e tij në paraburgim.

Gjykata e Posaçme vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest me burg"  në "arrest shtëpie" ndaj ish-deputetit Bllako më 6 tetor 2022, vetëm 6 muaj pas arrestimit për skandalin e incineratorëve.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila kishte dhënë më parë edhe vendimin e arrestit për ish-funksionarin socialist.

Avokatët e tij kërkuan zëvendësimin e masës arrest me burg në "arrest shtëpie" me argumentin se i pandehuri ka fëmijët sëmurë, dhe gjykata e pranoi.

Ndërkohë Gjykata e Lartë vendosi që ish Ministri i Mjedisit Lefter Koka të mbahet në burg deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit ndaj tij për çështjen e incineratorëve.

Opozita thotë se lirimi i Alqi Bllakos është bërë pasi shantazhoi Ramën e Erion Velinë se do të fliste.

Sipas SPAK në kohën që mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, ata kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua incineratori i Fierit duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.

Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e incineratorit te Fierit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh.