Maskat në Lushnje – Fier, grabitet me forcë makina tek “Pushimi i Shoferit”
Një grabitje me forcë u shënua në aksin Lushnje-Fier. Persona ende të paidentifikuar dhunuan dhe i morën makinën një banori të Divjakës.
Një makinë u grabit me dhunë në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit” në qytetin e Lushnjes.
Ngjarja u shënua rreth orës 22:00, të 9 tetorit dhe u denoncua nga shoferi i grabitur.
Martino Peqini, banor i fshatit Sopëz në Divjakë, ka dëshmuar se ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip BENZ targa AA 398 AU, kur dy persona të maskuar e kanë ndaluar në rrugë.
Pasi e kanë detyruar që të zbresë nga mjeti e kanë dhunuar dhe më pas janë larguar në aksin Lushnjë -Tiranë.
Pasi personi i grabitur ngriti alarmin, policia ngriti postblloqe në disa akse, për ndalimin e autorëve, por veprimet e para nuk dhanë asnjë rezultat.
Zona ku ndodhi grabitja është e mbuluar me kamera sigurie të bizneseve përrreth, ndërsa aksi Lushnje-Fier ka qarkullim të lartë mjetesh.
Por këto dy faktorë duket se nuk i trembën grabitësit, të cilët ende janë të lirë
Martino Peqini, nga verifikimet e para nuk rezulton të jetë person problematik.
Policia e Lushnjes, ndërkohë thotë se po vijon hetimet për të identifikuar dhe arrestuar personat që e dhunuan dhe i morën me forcë makinën.
Disa orë më vonë u mësua se makina ishte gjetur në Vlorë
Javët e fundit në vend janë shënuar disa grabitje të dhunshme, ku në fokus kryesisht kanë qenë banesa të emigrantëve ose të moshuarve që jetojnë vetëm.



