Lirohet nga qelia ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako, SPAK reagon për Ora News: S'jemi dakord. Nuk ishin kushtet
Vetëm 6 muaj pas arrestimit për skandalin e incineratorëve, ish deputeti i PS, Alqi Bllako ka ritifuar lirinë. Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila kishte dhënë më parë edhe vendimin e arrestit për ish-funsionarin socialist. Avokatët e tij kërkuan zëvendësimin e masës arrest me burg në "arrest shtëpie" me argumentin se i pandehuri ka fëmijët sëmurë. SPAK reagoi kundër vendimit duke deklaruar se do ta apelojë atë
Gjykata e Posaçme ndryshoi sot (6 tetor) masën e sigurisë për ish deputetin e Partisë Socialist Alqi Bllako, i cili rifiton kështu lirinë vetëm 6 muaj pas arrestimit për skandalin e incineratorëve.
Nga "arrest me burg" ish deputeti do të gjykohet në masën “arrest shtëpie”. Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila më parë kishte vendosur edhe vendimin për masën “arrest me burg” për ish deputetin, i cili ka paraqitur si arsye problemet shendetësore të fëmijëve.
Reagon SPAK
Në një reagim për Ora News, SPAK është shprehur kundër këtij vendimi dhe se do e apelojë.
"Nuk jemi dakort me vendimin e gjykatës. Nuk ishin kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë. Do ta apelojmë menjëherë” thuhet në reagimin e SPAK, informon gazetarja e Ora News, Keti Banushi.
Arrestimi
Alqi Bllako u arrestua më 01 prill 2022 për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit me vendim të Gjykatës së Posaçme pas kërkesës së bërë nga prokuroria.
Ish deputeti i është drejtuar disa herë gjykatës për ndryshim mase duke sjellë si shkak gjëndjen shëndetësore të tij. Më heret kërkesa i është refuzuar si nga Gjykata e Shkallës së Parë ashtu edhe nga Apeli por ndryshe nga më parë gjyqtarja këtë herë pranoi kërkesën e avokatëve dhe ka vendosur të ndryshoje masën e sigurisë duke e nxjerre Blakon në arrest shtëpi.
Sipas SPAK në kohën që mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, ata kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua incineratori i Fierit duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.
Ai dyshohet se, në bashkëpunim me kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.
Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.
Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh.

