Bënë kërdinë me vjedhjen e bizneseve në Tiranë e Durrës, dalin pamjet ku hajdutët mbushin xhepat me paratë e kasës

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy të rinj të dyshuar për vjedhjen e një sërë biznesesh në Tiranë dhe në Durrës.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve F. Sh., 19 vjeç dhe R. T., 20 vjeç, të dy banues në Kombinat, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi E. B., për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.

Nga verifikimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë dhe në Durrës, konkretisht:

- Më datë 29.09.2022, në Tiranë, në bulevardin “Migjeni”, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur me forcë një shumë parash, në një farmaci;

- Më datë 28.09.2022, në Durrës, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, në 1 farmaci dhe në 2 lokale;

- Më datë 24.09.2022, në Tiranë, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, dy prej tyre në rrugën  "Muhamet Deliu" dhe njëri në rrugën "Jordan Misja";

- Më datë 17.09.2022, në rrugën "Preng Bib Doda", dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një biznes në pronësi të shtetasit A. Ç.;

- Në muajin qershor, në Ndroq, Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një furrë buke.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.